Mark Zuckerberg nuk është më në listën Top 100 të CEO-ve të Glassdoor

Për herë të parë që nga viti 2013, shefi i Facebook, Mark Zuckerberg, nuk është më në listën Top 100 të CEO-ve të Glassdoor. Ai nuk e mori miratimin e një pjesë të madhe të punonjësve të tij në Facebook për vendimet që ka marrë dhe kjo bëri që Zuckerberg të mos jetë më pjesë e kësaj liste.

Për herë të parë, ai u bë pjesë e kësaj renditjeje në vitin 2013 duke zënë vendin e parë dhe duke marrë miratimin 99% të punonjësve. Zuckerberg mori një vlerësim prej 88%. Megjithëse ishte mbi normën mesatare të miratimit prej 73 për qind për CEO-t në përgjithësi, nuk ishte e mjaftueshme për t’i dhënë atij një vend në listën e 100 më të mirëve.

Satya Nadella, CEO-ja i Microsoft Corp kishte një rezultat prej 97 për qind, ndërsa Tim Cook i Apple, 95 për qind. Midis majit të 2020 dhe majit 2021, Glassdoor kreu sondazhe që përfshinin më shumë se 700 punonjës të gjigantit të mediave sociale për të parë vlerësimet e punonjësve ndaj CEO-s së tyre. U zbulua se vlerësimet dhe mendimet e tyre kishin ndryshuar në pjesën e fundit të vitit 2020 dhe në fillim të 2021 kur kompania po merrej me zgjedhjet presidenciale të SHBA-së dhe keqinformimin në lidhje me pandeminë COVID-19.

Në fillim të këtij muaji, Facebook pezulloi llogaritë e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Facebook dhe Instagram për dy vjet pas postimeve që ai bëri në lidhje me trazirat në Capitol të SHBA-së. Facebook i cilësoi veprimet e Trump si ‘një shkelje të rëndë të rregullave tona’, pasi ish-presidenti i SHBA e quajti veprimin e Zuckerberg-ut ‘një fyerje’ për miliona vetë që votuan për të në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Muajin e kaluar, Financial Express raportoi se Facebook është ndaluar nga qeveritë e disa vendeve për paaftësinë e tij për të menaxhuar keqinformimin, veçanërisht rreth pandemisë COVID-19. Kompania më pas njoftoi një sërë masash për të parandaluar keqinformimin dhe tha se do të ndërmarrë veprime më të forta kundër përdoruesve dhe faqeve që shpërndajnë në mënyrë të përsëritur keqinformim në lidhje me vaksinat Covid-19, zgjedhjet ose ndryshimet klimatike./ CNBC

Artikulli paraprakKu të gjejmë ide të reja?
Artikulli tjetërSi arrihet suksesi i një marke?