Londra rifiton kryesimin në Global Cities Index

Schroders është një kompani shumëkombëshe, e cila merret me administrimin e kursimeve.

Ajo është themeluar në Londër, në vitin 1804 dhe ende sot, përveç aktiviteteve në investime, përpilon klasifikime dhe jep të dhëna, duke këshilluar se si të administroni paratë tuaja. Së fundi ka publikuar renditjen e qyteteve në të cilat është e përshtatshme për të bërë investime, e cila tregon edhe rritjen reale dhe sociale të një vendi. Për shembull fakti që këtë vit, Londra ka lënë pas Los Anxhelosin, i cili këtë vit ka zbritur në vendin e 14-të, me siguri tregon diçka.

Schroders thotë se klasifikimi identifikon qytetet me “një kombinim të dinamizmit ekonomik, universiteteve më të mira, politikave mjedisore në afat të gjatë dhe infrastrukturat e zhvilluara të transportit”. Këto janë katër parametrat ku mbështetet algoritmi dhe algoritmi i transportit, i përfshirë së fundi, tregon se pse Los Anxhelos ka rënë kaq poshtë në klasifikim (kuptohet që njerëzit lëvizin vetëm me makinë).

Rezultati i kryeqytetit të Britanisë së Madhe u rrit nga 8.19 në 8.53 në sistem, falë pikëve në inovacion dhe në transport, por edhe të universiteteve me nivel të lartë. San Francisko, në vend të dytë, përfiton nga qendra e saj e rëndësishme teknologjike, ndërsa Boston, në vend të tretë, për universitetet prestigjioze, si MIT.
Ndërkohë shumë kryeqytete europiane renditen lart për politikat e zhvilluara mjedisore dhe investimet në transportin publik, një karakteristikë më pak e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hugo Machin, bashkëdrejtues i Global Cities në Schroders, komenton: “U befasuam kur pamë që Londra rifitoi vendin e parë në Indeks. Edhe pse ka pasur paqartësi për shkak të Brexit dhe mjedisit politik që u krijua si pasojë. bazat e saj themelore mbeten tërheqëse për investitorët”.

Pasojat e pandemisë

Kriza e Covid-19 ka pasur ndikim të thellë në qytetet në mbarë botën. Me shumë njerëz të detyruar të punojnë nga shtëpia gjatë pandemisë, pronarët e zyrave tashmë duhet të konkurrojnë në mënyrë më agresive për klientë. Përmirësimi i shpejtësisë në brezin e gjerë dhe i platformave të komunikimit, si dhe rritja e ofruesve fleksibël, kërcënojnë pronarët tradicionalë.

“Kur pandemia globale të qetësohet, qytetet do të mbeten qendra inovacioni dhe argëtimi – tha Hugo Machin. – Qytetet më të mira do të vijojnë të evoluojnë, duke nxitur zhvillimin e hapësirave të hapura dhe ndërtesa më të gjelbra.

Qytetet që kuptojnë këtë do të jenë në një pozicion më të mirë për të lulëzuar në garën për talente dhe kapital. Objektivi i Global Cities Index të Schroders është të vlerësojë atë çfarë e bën një qytet të suksesshëm”.

Burimi: Schroders

Artikulli paraprak5 hapa që mund të ndjekin drejtuesit për të promovuar objektivat e ekipit
Artikulli tjetërBioNTech rrit qëllimin e prodhimit të vaksinave në doza 2.5B