Industria zë 17.6% të ekonomisë së Kosovës

Ekonomia e Kosovës, njëlloj si ajo e Shqipërisë, dominohet nga tregtia dhe shërbimet, me sektorët prodhues që kanë një kontribut pakice në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për vitin 2019, vlera e shtuar e sektorëve prodhues të ekonomisë ishte rreth 1.25 miliardë euro.

Me gjithë një rritje me 5%, normë kjo më e lartë se mesatarja e ekonomisë, prodhimi i gjithë industrisë së Kosovës përbën vetëm 17.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këtu përfshihet sektori energjetik, i ujit, industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese në vend. Ky sektor ka arritur peshën maksimale në ekonominë e Kosovës gjatë vitit 2017, ndërsa në dy vitet e fundit, pjesa e këtij sektori kundrejt prodhimit kombëtar, paraqitet më e ulët.

Segmenti më i rëndësishëm i industrisë është industria përpunuese. Vlera e shtuar e industrisë përpunuese për vitin 2019 ishte 816 milionë euro, ose 11.5% e PBB-së. Nëse përjashtojmë ndërmarrjet e sektorit energjetik, numri i kompanive të tjera prodhuese mes 50 bizneseve më të mëdha në Kosovë është i pakët.

 

Burimi: ASK

 

Newco Ferronikeli

Kompania, që prej vitit 2018 është në pronësi të grupit shqiptar Balfin, ishte prodhuesi më i madh në sektorin industrial të Kosovës për vitin 2019 (përjashtuar kompaninë publike të sektorit energjetik KEK). Ajo ushtron aktivitet në fushën e nxjerrjes dhe përpunimit të ferro-kromit dhe për vitin 2019 raportoi xhiro totale në vlerën e 7.2 milionë eurove, në rritje me 96% krahasuar me vitin 2018.

Deri në korrik 2018, aktiviteti i kompanisë ishte i paralizuar dhe rifilloi vetëm pasi ndërmarrja u ble nga grupi Balfin. Edhe për vitin 2019, kompania rezultoi me humbje në vlerën e 14 milionë eurove, por humbjet u reduktuan në raport me nivelin prej pothuajse 35 milionë eurosh të vitit 2018.

Coca-Cola Hellenic Bottling Company-KOSOVO

Kompania e autorizuar për ambalazhimin dhe shpërndarjen e pijeve të markës Coca-Cola në Kosovë, në vitin 2019, realizoi një xhiro prej 51.4 milionë eurosh, në rritje me 20.4% krahasuar me vitin 2018. Kjo kompani ishte gjithashtu ndër më fitimprurëset në Kosovë për vitin 2019. Fitimi para tatimit arriti vlerën e 10.5 milionë eurove, në rritje me 37% krahasuar me vitin 2018. Norma e fitimit të kompanisë para tatimit ishte 20.4%.

Në fund të vitit 2019, kompania kishte 86 punonjës. Coca-Cola Hellenic Bottling Company-KOSOVO është një ndërmarrje e themeluar në vitin 2003 dhe pronare është kompania e regjistruar në Holandë, CC Beverages Holding. Kontrollues final është shoqëria Coca-Cola HBC AG në Zvicër.

Euro Abi SH.P.K.

Prodhuesi i tretë më i madh në Kosovë për vitin e kaluar ishte kompania Euro Abi sh.p.k., me aktivitet kryesor përpunimin e lëngut të frutave dhe perimeve. Për vitin 2019, kompania realizoi një qarkullim prej rreth 50 milionë eurosh, në rritje me 2.5% krahasuar me vitin 2018.

Rezultati financiar para tatimit ishte pozitiv në vlerën e 1.25 milionë eurove, në rritje me 26.3% krahasuar me vitin 2018, ndërsa norma e fitimit të shoqërisë ishte 2.5%. Euro Abi është kompani në pronësi të plotë të biznesmenit nga Kosova, Xhevdet Rexhepi.

SharrCem

SharrCem është kompania që zotëron fabrikën e vetme të çimentos në vend, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2010, SharrCem u ble nga TITAN Group, përmes procesit të privatizimit dhe vazhdon të jetë furnizues kryesor i çimentos në Kosovë.

Kompania nuk e pranoi kërkesën e revistës “Monitor” për të dhënë informacion lidhur me xhiron dhe rezultatin financiar të vitit 2019. Fabrika e çimentos në Sharr e ka origjinën që në vitin 1936, me një furrë vertikale që kishte kapacitet prodhimi 4,415 tonë në vit. Në vitin 1972, fabrika u zgjerua dhe teknologjia u përmirësua. Kompania kryesisht i shërben tregut të Kosovës, por arrin të eksportojë edhe sasi të konsiderueshme në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

Birra Peja SH.A.

Birra Peja është prodhuesi më i madh dhe më i vjetër i birrës në Kosovë. Aktiviteti i saj ka nisur në maj të vitit 1971, kur përfundoi ndërtimi i fabrikës së prodhimit në qytetin e Pejës. As Birra Peja nuk e pranoi kërkesën e revistës “Monitor” për të bërë publike pasqyrat financiare të vitit 2019, ose të paktën tregues të veçantë të tyre. Birra Peja është në pronësi të familjes Devolli, që është njëkohësisht një prej grupeve më të mëdha të biznesit në Kosovë.

M & Sillosi SH.P.K.

Kompania M & Sillosi SH.P.K. ka aktivitet kryesor prodhimin dhe shitjen e miellit dhe nënprodukteve të tjera të grurit. Për vitin 2019, ajo realizoi një xhiro në vlerën e 25.4 milionë eurove, në rritje me 4.6% krahasuar me vitin 2018. Kompania rezultoi me një fitim para tatimit në vlerën e 645 mijë eurove, në rënie me 41.6% krahasuar me vitin 2018. Norma e fitimit para tatimit ishte në nivelin 2.65%. Në fund të vitit 2019, ndërmarrja kishte 131 persona të punësuar. Edhe M & Sillosi SH.P.K. është pjesë e bizneseve të familjes Devolli.

Frutex SH.P.K.

Kompania Frutex ka aktivitet kryesor prodhimin dhe shitjen e pijeve joalkoolike, kryesisht pijen energjike Golden Eagle dhe pijet freskuese Relax. Për vitin 2019, ajo raportoi një xhiro në vlerën e 24.3 milionë eurove, 27.3% më shumë krahasuar me vitin 2018. Kompania e mbylli vitin me një fitim para tatimit në vlerën e 6.5 milionë eurove, vlerë kjo në rritje me 27.8% krahasuar me vitin 2018. Norma e fitimit rezultoi në nivelin 27.8%, një ndër më të lartat për sektorin prodhues në Kosovë. Në fund të vitit 2019, kompania kishte 157 të punësuar. Frutex është kompani me kapital vendas dhe 100% e aksioneve mbahen nga biznesmeni Shaqir Palushi.

Fluidi SH.P.K.

Prodhuesi tjetër i lëngjeve, kompania Fluidi, për vitin 2019 realizoi një xhiro prej 23.3 milionë eurosh. Krahasuar me vitin 2018, qarkullimi i kompanisë u rrit me 18.2%. Për vitin 2019, Fluidi raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 1.18 milionë eurove, në rritje me 5.7 herë krahasuar me vitin 2018. Norma e fitimit të aktivitetit mbi xhiron rezultoi në nivelin 5.1%. Gjatë vitit 2019, kompania deklaronte 218 punëtorë. Edhe Fluidi është kompani me kapital vendas dhe me pronar të vetëm biznesmenin Fejzulla Mustafa.

Eurofood sh.p.k.

Kompania Eurofood sh.p.k. ka aktivitet kryesor përpunimin dhe konservimin e frutave dhe perimeve. Për vitin 2019, ajo deklaroi në pasqyrat e veta financiare një xhiro prej 17.4 milionë eurosh, në rënie me 9% krahasuar me vitin 2018. Aktiviteti i kompanisë gjatë vitit 2019 ishte fitimprurës, me një rezultat financiar para tatimit në vlerën e 527 mijë eurove. Fitimi pësoi rënie me 43% krahasuar me vitin 2018, ndërsa norma e fitimit mbi xhiron rezultoi në nivelin 3%. Në fund të vitit 2019, Eurofood kishte 341 punëtorë.

Trepça

Industria e dhjetë më e madhe në Kosovë për vitin e kaluar ishte shoqëria e nxjerrjes së mineraleve metalore, NP Trepça. Për vitin 2019, Trepça raportoi të ardhura në vlerën e 14.1 milionë eurove. Megjithatë, kjo shumë përfshin edhe subvencionet nga buxheti i Republikës së Kosovës, për një vlerë totale prej më shumë se 5 milionë eurosh. Të ardhurat totale të kompanisë për vitin e kaluar pësuan rënie me 5.8%.

Nëse përjashtojmë të ardhurat nga subvencionet, shitjet e kompanisë pësuan rënie në 9.06 milionë euro, 22.7% më pak krahasuar me vitin 2018. Me gjithë subvencionet e konsiderueshme, Trepça sërish e mbylli vitin 2019 me humbje, në vlerën e 3.5 milionë eurove, humbje në rritje me 57% krahasuar me vitin 2018. Në fund të vitit 2019, Trepça kishte 1217 punëtorë. NP Trepça është shoqëri aksionere që kontrollohet në masën 80% nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe 20% nga punonjësit e ndërmarrjes.

 

Burimi: Pasqyrat financiare

Artikulli paraprakJaponia goditet nga një tërmet i fuqishëm
Artikulli tjetërCila është domethënia e certifikatës për vaksinim?