Përfshirja e përnjëhershme e botës në izolime, një vit më parë, ka pasur një ndikim interesant në emetimet e karbonit, por tani shkalla e tyre është duke u rikthyer në normalitetin e para izolimeve shumë më shpejt sesa po kthehen vetë shoqëritë
Shkenca klimatike mund të funksionojë në kohë reale
Pandemia ka ndikuar që të mendohet se si duhet marrë me disa vështirësi të monitorimit të emetimeve të gazeve serrë, posaçërisht të dyoksidit të karbonit, në kohë reale. Kur izolimet filluan në marsin e 2020-s, ende nuk ishte koha e matjes së emetimeve globale të karbonit, kështu që shkencëtarët vendosën që t’i marrin parasysh edhe të dhënat e tjera që tregonin se si ka ndryshuar dyoksidi i karbonit.
“Përdorën të dhënat e izolimit, si pasqyrë për emetimet globale. Me fjalë të tjera, nëse e dinin se emetimet ishin nga sektorët apo vendet e ndryshme ekonomike para pandemisë, dhe e dinin se sa shumë ka rënë aktiviteti, do të hamendësonin se emetimet kishin rënë për të njëjtën sasi”, ka thënë Forster, pjesë e ekipit të studiuesve mbi ndikimin e pandemisë në klimë.
Nga maji i vitit 2020, një studim ka kombinuar vendimet e qeverisë për izolim dhe të dhënat e aktivitetit nga tërë bota për ta parashikuar rënien prej 7 për qind të emetimeve të CO2-shit nga fundi i vitit, gjë kjo që është konfirmuar nga Projekti Global për Karbon.
Më pas ekipi i shkencëtarëve të Forsterit, që ka përdorur të dhënat nga Google dhe Apple, ka punuar për të reflektuar rreth ndryshimeve në 10 vende të ndryshme ndotëse. Të dhënat e fundit nga Google kanë treguar se ndonëse aktivitetet ditore ende nuk u janë kthyer niveleve të para pandemisë, është ringjallur në njëfarë shkalle. Është vërejtur një ngritje graduale e emetimeve globale gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020.
Pa ndikim dramatik në ndryshimin klimatik
Për një afat të shkurtër apo të gjatë, pandemia do të ketë pak ndikim te përpjekjet për ta trajtuar ndryshimin klimatik, ndonëse shumë njerëz kanë shpresuar.
“Pavarësisht qiejve të kthjellët dhe të qetë, studimi ka zbuluar se në fakt izolimi ka pasur ndikim të lehtë në aspektin e ngrohjes gjatë pranverës së 2020-s: pasi që industria asokohe nuk ishte duke funksionuar, niveli i ndotjes së ajrit ka rënë sikurse edhe sasia e grimcave të dëmshme që prodhohen nga djegia e karburanteve fosile, duke e ftohur planetin nga reflektimi i rrezeve të diellit larg nga Toka. Ndikimi i ushtruar në temperaturën globale ishte afatshkurtër dhe shumë i vogël, por prapëseprapë ka qenë më i madh sesa çfarëdo që është shkaktuar nga ndryshimet e lidhura me izolimin në ozon, CO2 apo aviacion”, ka theksuar eksperti.
Sa i përket vitit 2030, Forster ka thënë se bazuar në modelet e thjeshta klimatike, temperaturat globale do të jenë 0.01 gradë celsius më të ulëta për shkak të COVID-19 sesa nëse vendet do t’i zbatonin zotimet që i kishin bërë në kulmin e pandemisë. Këto zbulime kanë mbetur prapa nga simulimet më të ndërlikuara të modeleve.
“Pjesa dërrmuese e këtyre zotimeve kombëtare janë përditësuar dhe forcuar gjatë vitit të kaluar, por ende nuk mjaftojnë për ta shmangur ndryshimin e rrezikshëm klimatik. Kështu që, përderisa vazhdojnë emetimet njerëzit do të vazhdojnë të jetojnë në një hapësirë plot karbon. Sa më shumë që veprimi vonohet, aq më të ashpra duhet të jenë kufizimet për karbonin”, ka bërë të ditur Forster për BBC-në.
“Ky nuk është plan për veprim klimatik”
Kthimi i përkohshëm në jetën normale, me zbutjen graduale të izolimeve, nuk është i mjaftueshëm për ta ndaluar ndryshimin klimatik, madje as nuk është i qëndrueshëm.
“Sikurse ndryshimi klimatik, COVID-19 i ka goditur më së shumti të ndjeshmit. Duhet të gjejmë mënyra për t’i ulur emetimet pa ndikimin ekonomik e social të izolimeve dhe të gjejmë zgjidhje që sjellin shëndet, mirëqenie dhe paanësi”, është shprehur Forster. “Unë dhe kolegët e mi e kemi llogaritur se të investohet vetëm 1.2 për qind në GDP-në globale në pakot e rikuperimit ekonomik do të mund të bëhej dallimi mes mbajtjes së temperaturës globale nën 1.5 gradë celsius dhe një të ardhmeje, ku do të përballemi me ndikime edhe më të rënda – dhe kosto më të lartë”.
Fatkeqësisht, sipas tij, investimet e gjelbra nuk po bëhen në nivelet aq sa janë të nevojshme. Sidoqoftë, edhe më shumë investime do të bëhen gjatë muajve në vijim.
“Është thelbësore që veprimet e vendosura klimatike të jenë të integruara në investimet e së ardhmes. Rreziku është i lartë, por shpërblimi potencial është shumë më i lartë”, ka theksuar Forster.