Urtësitë e ndalimit të kamatës në Islam

Muslimani duhet ta kuptojë se çdo urdhër dhe ndalesë e paraparë në Islam përmban urtësi dhe objektiva të shumta, madje edhe dispozitat përkatëse që përligjen janë si rrjedhojë e këtyre urtësive dhe motiveve.

Por, megjithëkëtë, nuk është e detyrueshme që njeriu ta dijë urtësinë e çdo dispozite të përligjur nga Allahu i Lartësuar, qoftë ajo ndalesë apo urdhëresë. Sidoqoftë, kërkimi i urtësive nga dispozitat e përligjura është një praktikë e njohur në Islam dhe dijetarët e studiuesit e ndryshëm vazhdojnë të hulumtojnë dhe të gjejnë arsyet e dobitë se pse një çështje e caktuar është e ndaluar ose e urdhëruar.

Në këtë temë do të ndalemi në arsyet dhe urtësitë e ndalimit të kamatës, të cilat dijetarët dhe ekonomistet islamë i përmendin kur flasin rreth kamatës.

1. Kamata është fitim i sigurt nga diçka e pasigurt

Kamata është që të marrësh pasurinë e tjetrit pa kompensim për faktin se kush i jep dikujt një euro, që pas një kohe t’i marrë dy euro, atij i shtohet euroja pa ndonjë shpagim. Për njeriun nuk është e lejuar që të marrë pasurinë e tjetrit pa të drejtë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Është mëkat që muslimani ta shajë vëllanë e tij (musliman), ndërsa është kufër (mosbesim) vrasja e tij, kurse pasuria e tij është e ndaluar sikurse është i ndaluar gjaku i tij.1” Ndoshta dikush do të thoshte se dhënia e pasurisë tjetrit ia mundëson atij që të punojë me ato para dhe të fitojë, prandaj huadhënësi, kur merr kamatë, merr një pjesë nga përfitimi i huamarrësit, por kjo nuk është e saktë. Lënia e pasurisë në dorën e tjetrit për një kohë që ai të bëjë tregti me të dhe të përfitojë është e pasigurt, sepse ai ka mundësi të fitojë dhe ka mundësi të mos fitojë, madje edhe të humbë, ndërsa marrja e shtesës (kamatës) nga huadhënësi është e sigurt. Prandaj me anë të kamatës sigurojmë një përfitim të sigurt nga një fitim i pasigurt, madje është e mundshme që të humbë tërësisht.


2. Kamata i ndalon njerëzit të punojnë dhe të fitojnë

Nëse njeriu, i cili ka një shumë parash, ka mundësi që të arrijë fitimin përmes dhënies së atyre parave me kamatë, pa u lodhur, atëherë ai nuk do të japë mund që të punojë dhe të kërkojë fitim me tregti, prodhim, investime dhe punë të tjera të rënda për të. Kjo shkakton pasivitet duke favorizuar papunësi dhe ndërprerje të dobive njerëzore, të cilat nuk rregullohen vetëm se duke u marrë me tregti, investime, zeje, industri, ndërtimtari, etj.


  1. Kamata çon në ndërprerjen e mirësisë në mes njerëzve gjatë huazimit

    Nëse ndalohet kamata, atëherë njerëzit nxiten në dhënien e parave borxh duke mos pritur ndonjë përfitim material përveç shpërblimit prej Allahut të Lartësuar. Në anën tjetër, nëse do të lejohej kamata, atëherë mungesa e nevojtarit do ta bënte që ai të merrte borxh me kamat dhe kjo bën që të ndërpritet ndihmesa, solidariteti dhe bamirësia në mes njerëzve.

  2. Kamata shkakton dëme në shoqëri

    Kjo për faktin se kamata i bën edhe më të theksuara hendeqet mes shtresave të shoqërisë (të pasurve dhe të varfërve). Të pasurit vazhdojnë të grumbullojnë pasuri duke vjelë përfitimet nga huat me kamatë që kanë dhënë dhe kështu bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfrit vazhdojnë të bëhen edhe më të varfër duke paguar borxhet e kamatës.

  3. Kamata shkakton trazira ekonomike

    Gjithashtu kamata është nga shkaktarët më kryesorë të trazirave ekonomike në shoqëri të ndryshme për faktin se fitimet e kushtëzuara me kamatë bëjnë që t`u vërtetohen dobi investuesve që i kanë dhënë paratë për të hapur biznese, pa marrë parasysh a kanë arritur sukses apo jo në prodhim ato biznese. Kamata mund të jetë edhe shkaktare e inflacionit monetar dhe e padrejtësive të ndryshme ekonomike. Shembulli më i qartë për këtë është kriza ekonomike botërore e tanishme, ku rol të rëndësishëm në rregullimin e këtyre sistemeve ka edhe kamata.
    Këto që përmendëm më lartë janë vetëm disa nga urtësitë e ndalimit të kamatës2.

Alaudin Abazi

1 Shënon Ahmedi.

2 Për më gjerëisht: “Tefsiru Kurtubi”, vëll.3, f. 359; “Ilam Muvekin”, Ibën Kajim El Xhevzije, vëll.2, f. 154; ” Fikhul Muamelat el-Malije el-Mukarin”, dr. Alaudin Zateri, f.186.

Artikulli paraprakNxjerrja e xehes së metalit me rënie të çmimeve
Artikulli tjetërEvropa mbetet pas në garën e rimëkëmbjes ekonomike