Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e katërt.
ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostatit.
Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.
Komunikata e plotë:
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e katërt (TM4 2020) ( 2015 =100). ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostatit. Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Në tremujorin e katërt të vitit 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 4.63%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 9.25%.
Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 6.70%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. /eo/