Një projekt për të ndërtuar një ishull gjigant që siguron energji të mjaftueshme për tre milionë familje i është dhënë drita jeshile nga politikanët e Danimarkës.
Ishulli i parë energjetik në botë do të jetë i madh sa 18 fusha futbolli (me sipërfaqe 120,000 metër katrorë), por ka shpresa për ta bërë atë tre herë më të madh. Ai do të shërbejë si një qendër për 200 turbina gjigante me erë në det të hapur.
Është projekti më i madh i ndërtimit në historinë daneze, që kushton rreth 210 miliard korona (monedha daneze) apo 28 miliardë euro.
Ishulli artificial, 50 milje larg detit, do të jetë të paktën gjysmë në pronësi të shtetit dhe pjesërisht nga sektori privat.
Ai nuk do të furnizojë me energji elektrike vetëm danezët por edhe rrjetet e tjera të energjisë elektrike të vendeve fqinjë. Megjithëse ato vende nuk janë detajuar ende, nga ky projekt mund të përfitojnë Mbretëria e Bashkuar, si dhe Gjermania ose Holanda.
Sipas Aktit të Klimës të Danimarkës, vendi është zotuar për një reduktim ambicioz rreth 70% të emetimeve të gazrave serrë nga viti 1990 deri në 2030, dhe për t’u bërë neutral i CO2 deri në 2050.
Dhjetorin e kaluar Danimarka njoftoi se po u jepte fund të gjitha kërkimeve të reja të naftës dhe gazit në Detin e Veriut.
Një ishull më i vogël energjetik tashmë është duke u planifikuar pranë Bornholm në Detin Baltik, në lindje të Danimarkës kontinentale. Marrëveshjet tashmë janë nënshkruar që energjia elektrike të sigurohet nga atje në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë.
Nëntorin e kaluar Bashkimi Europian njoftoi planet për një rritje 25 herë të kapacitetit të erës në det të hapur deri në vitin 2050, me një rritje pesëfish deri në 2030. Energjia e rinovueshme siguron rreth një të tretën e nevojave aktuale të bllokut për energji elektrike.