Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Dhjetor 2020
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2020
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.3% në muajin dhjetor 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 309.2 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 308.3 milionë Euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 13.1%.
Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2020 kishte vlerën 46.7 milionë Euro, ndërsa importi 355.9 milionë Euro, që është një rritje prej 73.6% për eksport dhe 6.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë produktet minerale; 4.8% e përbëjnë produktet bimore; 4.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.7% e përbëjnë produktet minerale; 10.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.5% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.9 milionë Euro, ose rreth 27.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.9%), Italia (6.1%), Holanda (2.2%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 165.2 milionë Euro, ose 46.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.0%), Italia (5.6%), Greqia (3.8%), Polonia (3.3%), etj.
Në muajin dhjetor 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 23.0 milionë Euro, ose 49.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 89.6%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (30.7%), Maqedonia e Veriut (9.5%), Serbia (4.7%), dhe Mali i Zi (3.2%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2020, arritën në 69.2 milionë Euro, ose 19.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.7%), dhe Maqedonia e Veriut (5.3%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.6 milionë Euro, ose 22.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (8.5%) dhe SHBA (8.1%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 121.5 milionë Euro, ose 34.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.7%) dhe Kina (10.0%).