NAFTA, PRANË NIVELIT MË TË LARTË NË 11 MUAJ

Nafta është kthyer në rritje në orët e pasdites, duke rikuperuar humbjet e tregtisë aziatike. Megjithatë, investitorët vijojnë të jenë të shqetësuar për rritjen e infektimeve me koronavirus në shumë vende të botës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 55.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 52.5 dollarë për fuçi.

 

Gjatë javëve të fundit, çmimet janë rritur ndjeshëm për shkak të fillimit të programeve të vaksinimit dhe angazhimit të Arabisë Saudite për të ulur prodhimin në mënyrë vullnetare në shkurt dhe mars, me 1 milionë fuçi në ditë. Investitorët janë në pritje të të dhënave jozyrtare në SHBA mbi rezervat e naftës gjatë javës së kaluar, ndërsa të mërkurën publikohet raporti zyrtar i Departamentit të Energjisë.

Referuar zhvillimeve të tjera, prodhuesit amerikanë të naftës argjilore e kanë rritur prodhimin gjatë javës së kaluar, për shkak se çmimet në treg janë më të favorshme, krahasuar me prodhuesit tradicionalë. Nafta argjilore në SHBA ka kosto më të ulëta, pasi është më e lehtë për tu nxjerrë. Gjithsesi, investitorët po tregohen të kujdesshëm për shkak të rritjes së infektimeve me Covid-19, ku mbi 28 milionë persona janë vendosur në karantinë, në disa qytete. /rtklive/

Artikulli paraprak7 arsye për të nisur një biznes sa jeni në universitet
Artikulli tjetërTregu i automobilave në Europë, shitjet bien 24% ndaj një viti më parë