Numri i të rinjve në Kosovë që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, dhe nuk trajnohen, po rritet nga viti në vit.
Në tremujorin e tretë të vitit 2020, 125,582 të rinj (të moshës 15 deri 24) në Kosovë nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 37.7 % të popullsisë së re.
“Të rinjtë e këtij grupi (NEET) përfshijnë të rinjtë që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën, as nuk trajnohen, d.m.th. janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor. Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës”, thuhet në raportin mbi fuqinë punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Në raport thuhet se, përveç kësaj, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale. /Buletini Ekonomik/