RRETH 126 MIJË LLOGARI TË REJA TË HAPURA NË ETRUST

46

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti) njofton në fundviti për dy ngjarjet më në fokus,  procesin e aplikimit për 10%-shin, dhe performancën e investimeve për vitin 2020.

 

Këtë vit, mbi 395 mijë që kanë aplikuar për 10%, rreth 126 mijë llogari të reja janë hapur në eTrusti (ose dyfishim i llogarive krahasuar me fundvitin 2019), mbi 120 mijë shërbime të ofruara në zyrën e FKPK-së, si dhe dhjetëra mijëra shërbime përmes mesazheve, e-maileve dhe telefonatave të pranuara më 2020, njofton Trusti.

Ky institucion thotë se ia doli me sukses ta përballoj një projektin për 10%, duke mbajtur gjithë përgjegjësinë profesionale të projektimit dhe realizimit të tij me kapacitete të brendshme njerëzore me teknologjinë më të fundit të aplikimit, procesimit dhe ruajtjes së të dhënave.

Tutje njoftimi i Trustit:

1)

Pa dyshim procesi i përgatitjes së infrastrukturës teknologjike për aplikimin për tërheqjen e 10%-shit ishte jashtëzakonisht sfidues. Kjo vlen si për kohën e shkurtër që duhej përgatitur, si për fluksin shumë të madh të kërkesave për aplikim, si për kompleksitetin teknologjik të aplikimit, sigurinë dhe saktësinë e të dhënave por edhe për realizimin në kohë të pagesave.

Nën kushtet e mësipërme, themi me bindje se institucioni ia doli me sukses ta përballoj një projekt shumë madhor, duke mbajtur gjithë përgjegjësinë profesionale të projektimit dhe realizimit të tij me kapacitete të brendshme njerëzore me teknologjinë më të fundit të aplikimit, procesimit dhe ruajtjes së të dhënave.

Duam të nënvizojmë këtu se procesi i aplikimit për tërheqjen e 10%-shit, përmbushi edhe objektiva të tjera anësore. Kontribuuesit e kuptuan drejtpërdrejt rëndësinë e kontribuimit, vërtetuan se kontributet e tyre menaxhohen dhe administrohen në mirëbesim nga Trusti dhe se vlera financiare e kursimeve të tyre pensionale është në përputhje të plotë me atë çfarë iu raporton institucioni.

Sa i përket shifrave, deri më 29 dhjetor 2020 për tërheqjen e 10%-shit kanë aplikuar 394,978 llogarimbajtës që përfitojnë në vlerë financiare rreth 184 milionë euro. Nga kjo shumë: rreth 138 milionë euro janë kontribute të përfituesve, ndërsa rreth 46 milionë euro janë fitime të realizuara nga investimi i mjeteve. Duhet theksuar se pagesat për aplikimet për 10% prej datës 11 dhjetor deri më 24 dhjetor tashmë janë bartur në llogaritë individuale të kontribuuesve dhe nga afër 387 mijë pagesa të procesuara kemi më pak se 50 raste të kthimit mbrapsht të pagesave individuale, duke argumentuar kështu suksesin e plotë operacional të këtij projekti.

Më shumë detaje për procesin e aplikimit dhe tërheqjes së 10%-shit do të publikohen në raportin vjetor 2020.

2)

Në mbarim të këtij viti, me kënaqësi njoftojmë kontribuuesit se Trusti po e përmbyll edhe një vit financiar me kthim pozitiv nga investimet. Ky rezultat është më i rëndësishëm se zakonisht, meqë u arrit në një periudhë kohore shumë të rëndë të pandemisë në nivel global, por edhe ngase frytet pozitive i korrën tashmë më shumë se 395 mijë kontribuues, që aplikuan deri tani për tërheqjen e 10%-shit.

Shtjelluar në terma financiarë, deri më datë 29 dhjetor 2020 kthimi bruto nga investimet për vitin 2020 ka arritur në rreth 72 milionë euro, me një rritje të çmimit të njësisë prej rreth 3%.

Me rezultatin pozitiv të këtij viti, kthimi bruto nga investimet prej themelimit ka shkuar në mbi 550 milionë euro ose me një rritje të çmimit të aksionit prej 55%. Për shkak të tërheqjes së 10% nga Trusti, pra rreth 184 milionë euro deri më tani, mjetet nën menaxhim u ulën nga rreth 2.13 miliardë, që ishin më 11 dhjetor, në 1.98 miliardë euro që janë më 29 dhjetor. Shifrat përfundimtare do të jenë të gatshme pas përfundimit të vitit kalendarik. Këtë vit, Bordi Drejtues ka vendosur që për shkak të pandemisë dhe gjendjes së jashtëzakonshme, siç kanë vepruar edhe shumë institucione të tjera, për të gjithë ata që dalin në pension moshe të ketë një mbrojte nga lëvizjet negative në tregjet financiare (me çmim të njësisë para fillimit të pandemisë).

Kjo mbrojtje është vendosur të mbetet në fuqi derisa pandemia vazhdon, për të parandaluar çfarëdo efekti të mundshëm afatshkurtër në tregjet financiare.

Ndërsa, në fushën e operacioneve, institucioni njohu arritje të tjera të mëdha. Këtë vit shërbyem, qartësisht, një numër rekord kontribuuesish: mbi 395 mijë që kanë aplikuar për 10%, rreth 126 mijë llogari të reja të hapura në eTrusti (ose dyfishim i llogarive krahasuar me fundvitin 2019), mbi 120 mijë shërbime të ofruara në zyrën e FKPK-së, si dhe dhjetëra mijëra shërbime përmes mesazheve, e-maileve dhe telefonatave të pranuara më 2020.

Andaj, të vetëdijshëm për një vit krejtësisht të pazakontë, sidomos për Trustin, me plot meritë çmojmë arritjet e institucionit tonë, duke besuar se kemi shkuar në një nivel të ri të zhvillimit, vlerësimit por edhe të besimit publik.

Duam, me këtë rast, të falënderojmë për bashkëpunimin në realizimin e projektit për tërheqjen e 10%-shit: Bankën Qendrore të Kosovës, Zyrtarët e bankave komerciale, Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit si dhe Kuvendin e Kosovës për mbështetje të vazhdueshme!

Urojmë, dhe për këtë do të përpiqemi maksimalisht, që edhe viti i ardhshëm të jetë pozitiv dhe me vlerë për kontribuuesit e Trustit, duke pasur parasysh edhe projekte të rëndësishme që janë duke u zhvilluar dhe pritet të përfundojnë vitin që vjen.

Në fund, iu urojmë gjithë kontribuuesve gëzuar festat e fundvitit dhe qoftë 2021-shi një vit i mbarë për të gjithë! /rtk/