Nëntori 2020 ka shënuar një rekord nxehtësie sipas Agjencisë Evropiane të Kopernikut për Ndryshimet Klimatike.
Drejtuesit e agjencisë u bënë thirrje udhëheqësve t’i shikojnë këto të dhëna si këmbanë alarmi dhe të kërkojnë mënyra për të përmbushur angazhimet e Marrëveshjes së Parisit.
Nëntori i këtij viti është muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në botë, duke e sjellë vitin 2020 edhe më afër rekordit të vitit 2016.
Sipas Agjencisë Evropiane të Kopernikut për Ndryshimet Klimatike, periudha prej 12 muajsh nga dhjetori 2019 deri në nëntor 2020 është në 1.28 gradë Celsius mbi temperaturat e epokës para-industriale.
Ndërsa vitet 2015 deri në 2020 janë gjashtë më të ngrohtat të regjistruara ndonjëherë, numër ky që e afron planetin në mënyrë të rrezikshme afër tavanit të parë të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.
“Këto të dhëna shkojnë krah për krah me prirjen afatgjatë të ngrohjes globale,” tha Carlo Buodebo, drejtor i Agjencisë Evropiane të Ndryshimeve Klimatike të Kopernikut. Ai u bëri thirrje udhëheqësve të “shikojnë këto të dhëna si kambana alarmit dhe të kërkojnë mënyrat më të mira për të përmbushur angazhimet e Marrëveshjes së Parisit”.
E përfunduar në 2015 nga pothuajse 200 vende, të cilat janë zotuar të ulin emetimet e gazeve serë, Marrëveshja e Parisit synon të mbajë ngrohjen globale shumë më poshtë se +2 gradë Celsius dhe, nëse është e mundur, në +1.5 gradë Celsius, për të zvogëluar ndikimin katastrofik të stuhive, thatësirave dhe valëve të nxehtësisë që tashmë po ndodhin.
Por ngrohja globale po rritet me një mesatare prej 0.2% në dekadë që nga fundi i viteve 1970, këmbëngul Koperniku. Rritja e temperaturës tashmë arrin rreth 1.2 gradë Celsius dhe në vitin 2020 nuk pritet të ndryshojë trendin.