Anketa e Mbeturinave Komunale (AMK), 2019
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Mbeturinave Komunale (AMK) për vitin 2019
Rezultatet e AMK 2019 tregojnë se sasia e mbeturinave komunale, të grumbulluara nga kompanitë rajonale të mbeturinave dhe operatorët ekonomikë privatë, të cilët merren me menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë, për vitin 2019 ka qenë 452 mijë ton.
Të dhënat e vitit 2019 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara në Kosovë ka qenë 253 kg për banor në vit. Ndërsa, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ka qenë 0.69 kg.
Në Prishtinë dhe rajonin e saj, grumbullimi i mbeturinave komunale për ditë ka qenë 0.77 kg/banor/ditë. Ndërsa, në rajonet e tjera të Kosovës, sasia e mbeturinave komunale të grumbulluar për ditë/banor, ka qenë 0.66 kg.
Nga të dhënat e mbeturinave komunale të grumbulluara sipas rajoneve për vitin 2019, vërehet se sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara ka qenë: në Rajonin e Prishtinës, 139 mijë ton në vit, ose 282 kg për banor në vit; në Rajonin e Prizrenit, 78 mijë ton në vit, ose 225 kg për banor në vit. Ndërsa, sasia më e vogël e mbeturinave të grumbulluara ka qenë në Rajonin e Gjakovës, me 34 mijë ton në vit, ose 172 kg për banor në vit.
Gjithsej, sasia e mbeturinave komunale, e grumbulluar për vitin 2019, ka qenë për 11% më e lartë se sa për vitin 2018.
Në vitin 2019, shkalla e mbulueshmërisë së ekonomive familjare (nga sistemi i grumbullimit të mbeturinave komunale) kanë qenë 76%.
Gjithsej, sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë rajonale për vitin 2019, ka qenë 446 mijë ton, ose krahasuar me vitin e kaluar ka qenë për 5% më e lartë. /ask/