Pavarësisht apelit të qeverisë dhe ndërkombëtarëve, shqiptarët nuk kanë reshtur së aplikuari për të përfituar azil në vendet e Bashkimit Europian, por vetëm kanë ndryshuar destinacione ndër vite.
Teksa në 2014 numëroheshin mbi 33 900 aplikime, një vit më pas kjo shifër thuajse u dyfishua duke arritur në mbi 59 mijë kërkesa për të vijuar rritjen edhe më pas, kryesisht në drejtim të Gjermanisë.
Por, pasi kjo e fundit e shpalli Shqipërinë vend të sigurt duke ndryshuar procedurat, kërkesat për azil u zhvendosën në Francë, ku shumica dërrmuese e tyre u refuzuan
Përqindja më e lartë e refuzimeve është shënuar nga viti 2015 dhe në 2019 përkatësisht në 97.4% (2015) dhe 87.8% (2019).
Lidhur me arsyet kryesore të kërkesave për azil, dominojnë ato të mbrojtjes, arsye humanitare apo në statusin e refugjatit.
Por, fluksi më i madh i emigracionit është evidentuar gjatë viteve 2008-2013 me mbi 363 mijë aplikime për leje qëndrimi sipas të dhënave të Eurostat, ku pjesa dërrmuese e shqiptarëve iu drejtuan vendeve të bllokut për arsye punësimi.
Ndërsa, në vitet 2014-2019 numri i tyre u ul ndjeshëm me rreth 12.5 %, duke zbritur në 318 mijë.
Pjesa dërrmuese e lejeve të dhëna për Shqipërinë në raport me rajonin janë më së shumti për arsye familjare, teksa rritje ka shënuar edhe numri i shqiptarëve te larguar për arsye shkollimi jashtë vendit gjatë kësaj periudhe.
Sa i takon lejeve të qëndrimit për punësim, pësuan një rënie drastike nga 31.2% gjatë periudhës 2008-2013 në 11.9% e totalit në periudhën 2014-2019.