Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të bimëve mjekësore dhe aromatike në botë.
Qindra hektarë sipërfaqe e kultivuar me bimë mjekësore dhe aromatike, e bëjnë Shqipërinë vend lider në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore.
Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë Euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor, dukë përbërë 19% të eksporteve totale të vendit.
Pra është e qartë se tregu ndërkombëtar është i etur për bimët e egra natyrale të Shqipërisë me vlera të jashtëzakonshme medicinale.
Sipas të dhënave më shumë se 95% e bimëve mjekësore dhe aromatike të mbledhura apo të prodhuara eksportohen drejt vendeve të tjera.
Shqipëria Pjesë e 25 Eksportuesve Kryesorë
Eksporti i bimëve mjekësore dhe aromatike është rritur dhe ka arritur në mbi 10 mijë ton, duke arritur gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.
Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando etj.
Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.
Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga bimët mjekësore dhe aromatike të egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike.
Më shumë se 400 specie janë identifikuar si bimë mjekësore dhe aromatike të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.
Bimët mjekësore dhe aromatike janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i bimëve mjekësore dhe aromatike./Burimi: ATSH