Ekonomia e Britanisë së Madhe gjatë korrikut u rrit për të tretin muaj radhazi, por ende nuk ka rimarrë vetën nga humbjet e shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Siç njofton Agjencia Kombëtare e Statistikave, përcjell Telegrafi, zgjerimi që ishte në përputhje me pritjet për një rritje prej 6.7 për qind, pasoi rritjen e muajit qershor prej 8.7 për qind dhe të muajit maj prej 2.4 për qind.
Ekonomia gjatë muajit prill u tkurr me një ritëm rekord prej 20.4 për qind, kur pandemia ishte në gjendjen më të keqe.
Prodhimi dhe ndërtimi treguan përmirësime, ndërsa sektori i shërbimeve, i cili përbën rreth tre të katërtat e aktivitetit ekonomik në total, vazhdoi të mos rikëmbet.
Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr më 7.6 për qind në tre muajt deri në korrik. Ekonomistët kanë parashikuar që PBB e tremujorit të tretë do të rritet me 15 për qind, duke kthyer gjysmën e rënies së tremujorit paraardhës në tre muaj deri në qershor.
Britania ka pësuar numrin më të lartë të vdekjeve nga shpërthimi i COVID-19 në Evropë, me mbi 41 mijë të vdekur. /Telegrafi/