Izraeli pret tregti me Emiratet në vlerë prej 4 miliardë dollarësh

Shkëmbimi vjetor tregtar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, pas normalizimit të njoftuar së fundmi të marrëdhënieve, pritet të arrijë në katër miliardë dollarë shumë shpejt.

“Brenda tre deri në pesë vjet, tregtia midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të arrijë në katër miliardë dollarë në vit,” tha Eli Cohen, ministri i Inteligjencës së Izraelit.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan në gusht se do të normalizonin marrëdhëniet diplomatike në përputhje me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni.

Emiratet që nga ajo kohë kanë njoftuar se do të heqin bojkotin ekonomik ndaj Izraelit dhe zyrtarët e të dy vendeve thonë se po shqyrtojnë mundësitë për bashkëpunim në industrinë ushtarake, energjinë, mjekësinë, turizmin, teknologjinë dhe investimet financiare.

Ata presin zgjerimin e turizmit

Kompanitë e shumta izraelite dhe emirate nënshkruan marrëveshjet pas njoftimit për normalizimin e marrëdhënieve.

Linja ajrore izraelite Israir ka thënë se ka rezervuar fluturime tregtare nga Tel Aviv në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke u përgatitur për një zgjerim të mundshëm të turizmit.

Krerët e dy bankave më të mëdha izraelite do të udhëtojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe këtë muaj, e cila është vizita e parë e tillë që kur të dy vendet ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet.

Palestinezët e përshkruan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve si një veprim tradhtar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bojkotimi i Izraelit për shkak të okupimit të territorit palestinez ka qenë deri më tani një nga çështjet e pakta për të cilat vendet arabe kanë rënë dakord. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakDrejtoresha e FMN-së: Rimëkëmbja globale vetëm “e pjesshme”
Artikulli tjetërSa kushton një gram ari në Kosovë?