Pjesë e dakordimit të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë ishte edhe përfshirja në projektin për lëvizjen e lirë që është bërë i njohur si “mini-Shengeni Ballkanik”.
Projekti deri javën e kaluar është kundërshtuar nga autoritetet dhe partitë politike në Kosovë.
Drejtori i Odës ekonomike amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Zërin e Amerikës se përfshirja amerikane në promovimin e zonës së veçantë ekonomike ka shtyrë autoritetet e Kosovës që të përfshihen në zonën e ashtuquajtur mini Shengen.
Sipas tij, zona synon çuarjen përpara të lirisë së lëvizjes së njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit.
“Ne e kemi parë këtë edhe si një mundësi që të eliminohen të gjitha barrierat teknike edhe barrierat tjera që kanë për bazë edhe mospajtimet politike ndërmjet shteteve sidomos në raport me Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë shtete këto që nuk e njohin fare Republikën e Kosovës. Pra një bashkëpunim i një forme të re pashmangshëm do ta vendos edhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve në një dimension të ri”, tha zoti Zeka.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu i cili e ka udhëhequr edhe Odën ekonomike të Kosovës thotë se e veçanta e marrëveshjes në Washington është garantimi nga Shtetet e Bashkuarapër mbështetje financiare e cila sipas tij do të ngritë përfitimet e palëve për këtë zonë.
“Ju po e shihni do të investohet në infrastrukturë, do të investohet në Shqipëri, në Serbi, në Kosovë, do të investohet me siguri edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje dhe e tëra i jep kjo një dimension të rid he një kuptim të ri këtij termi prandaj nuk duhet të kemi frikë por të përgatitemi për sfidat të cilat do të ballafaqohemi të ardhmen dhe në këtë drejtim sundimi i rendit dhe ligjit, ekonomia, edukimi duhet të jenë shtyllat kryesore të arritjes së objektivave të caktuar”, tha zoti Gërxhaliu.
Kritikët e marrëveshjes së zonës së mini Shengenit kanë ngritur shqetësime për pabarazinë ekonomike me të cilën përballet Kosova kundruall vendeve të rajonit që synojnë këtë zonë. Ata thonë se Kosova do të humb shumë pasi që prodhimtaria paarqet një përqindje të vogël të ekonomisë së Kosovës.
Ekonomistët thonë se ekziston rreziku i konkurrencës, por, sipas tyre me përfshirjen e Kosovës në zonën e mini Shengenit do të hapen mundësi për prodhuesit e vendit.
“Megjithatë ne kemi një mundësi unike që të mbështesim tashmë ndërmarrjet edhe prodhuese që të fuqizojnë kapacitetet e tyre, është një pikë e rëndësishme brenda marrëveshjes të Washingtonit që parasheh që dy institucione financiare të SHBA-ve të ofrojnë mes tjerash edhe lehtësim në qasje në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme edhe nëse supozojmë brenda kësaj kategorie të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë një pjesë e ndërmarrjeve prodhuese ja ku është një mundësi e re që del prej marrëveshjes e që ato mund të shfrytëzohen para se Kosova të bëhet palë e një marrëveshje të tillë, modalitetet e së cilës unë mendoj që do të marrin kohë që përcaktohen që do të thotë nuk është një marrëveshje e cila do të hyjë në fuqi brenda ditësh apo javësh”, tha zoti Zeka.
“Në fund të fundit ne nuk duhet të kemi frikë nga konkurrenca sepse duhet të rrisim kapacitetet tona, paramendoni në qoftë se në vitin 1958 kur është nënshkruar Traktati i Romës vendet evropiane nuk kishin dëshiruar të jenë pjesë e Bashkimit Evropian sepse Gjermania ka qenë një ekonomi e fuqishme dhe sot është një super fuqi botërore, për shembull një Itali, Belgjikë, Austria ta kundërshtojnë këtë projekt sepse do të na gëlltit ekonomia gjermane mirëpo po e shihni që definitivisht mu partneriteti me Gjermaninë i forcon ato vende”, tha zoti Gërxhaliu.
Shengeni Ballkanik, një nismë e përbashkët e udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut synon që brenda vitit 2021 të mënjanojë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit. Jashtë këtij procesi deri më tash kanë mbetur Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina./VoA