Deri më tani, Evropa është goditur më rëndë se çdo kontinent tjetër nga COVID-19.
Vendet e Evropës Lindore janë prekur më pak se ato të Perëndimit, madje edhe Gjermania Lindore më pak se Gjermania Perëndimore, kurse Evropa Jugore ka vuajtur më shumë se Veriu.
Vdekshmëria për person në Spanjë është më shumë se trefishi i asaj në Portugali dhe ajo e Francës sa katërfishi i Gjermanisë. Edhe ndikimi ekonomik është i pabarabartë. Teksa dalin parashikimet e dëmeve ekonomike të pandemisë, Evropa Qendrore dhe Lindore duket se janë veçanërisht të rrezikuara, përcjell Telegrafi.
Kjo nuk do të thotë se gjendja në pjesën tjetër të kontinentit është e mirë. Në tremujorin e parë të vitit 2020, Bashkimi Evropian pësoi tkurrjen më të thellë ekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto i BE-së u tkurr me 3.5 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar.
Ekonomia e Gjermanisë u tkurr me 2.2 për qind në të njëjtën periudhë. Shifrat për tremujorin e dytë, kur masat bllokuese ishin më të rreptat, pritet të jenë shumë më të këqija.
Të dhënat e fundit tregojnë se aktiviteti ekonomik e BE-së në muajt mars dhe prill, ka rënë me rreth 30 për qind krahasuar me një vit më parë.