Microsoft pushon nga puna dhjetëra gazetarë, i zëvendëson me robotë

MSN, portali online i Microsoft-it tashmë ka pësuar shumë ndryshime që nga fillimi i tij në 1995, si Microsoft Network. Përgjatë viteve 2000, portali ofronte artikuj origjinalë dhe lidhje me shërbime të tjera, siç janë parashikimet e motit dhe e-mailet.

Në vitin 2014, ajo ndaloi së shkruari lajme vetë dhe filloi t’i besojë një stafi redaktorësh detyrën e zgjedhjes dhe adaptimit të lajmeve të shkruara nga partnerë mediatikë të jashtëm.

Në fund të qershorit, raporton Seattle Times, portali do të strukturohet sërish, duke pushuar nga puna afro 50 punonjës dhe duke i zëvendësuar ata me robotë, të cilat do të identifikojnë lajmet më të mira, do të rishkruajnë titujt dhe do të gjejnë fotot më të mira, duke automatizuar në mënyrë efektive shumicën e detyrave, që ishin kryer deri më tani nga gazetarët.

Vendimi do të ndikojë shumë profesionistë të industrisë botuese, të cilët kanë kohë që shqetësohen nga ulja e buxhetit dhe rritja e automatizimit.

“Si të gjitha kompanitë, ne vlerësojmë rregullisht biznesin tonë,” tha një zëdhënës i Microsoft në një deklaratë. “Kjo mund të çojë në rritje të investimeve në disa vende dhe, herë pas here, rizhvendosjen në të tjerët. Këto vendime nuk janë rezultat i pandemisë.”

Për Microsoft-in, shkurtimet do të përkthehen në kursime ekonomike, megjithëse cilësia e informacionit të dhënë gjithashtu mund të dëmtohet nga ulja e mbikëqyrjes njerëzore.

Siç theksuan disa prej punonjësve të pushuar nga puna, duke folur për The Guardian, ata nuk i postonin lajmet në faqen kryesore të MSN-së, nga mediat partnere duke i bërë copy-paste. Një ish përgjegjës i redaksisë tha se redaktorët siguroheshin, për shembull, që lajmet të përputheshin me udhëzimet e tyre të rrepta të brendshme redaktoriale, për përmbajtje të dhunshme ose potencialisht të papërshtatshme për lexuesit e rinj.

Ata gjithashtu thanë se artikujt e paraqitur reflektojnë një gamë të gjerë këndvështrimesh në të gjithë spektrin politik dhe nxjerrin në pah histori interesante, nga gazetat më të vogla, që përndryshe do të kalonin pa u vënë re.

Ndërsa disa gazetarë do të vazhdojnë akoma punën, falë automatizimit, redaksia do të jetë në gjendje t’i kryejë këto detyra me më pak njerëz, duke ia lënë pjesën tjetër të punës makinerive.

“Ishte gjithçka gjysmë e automatizuar për disa muaj, por tani është me kapacitet të plotë,” tha një prej punonjësve për Seattle Times, “Është demoralizuese të mendosh që makinat mund të na zëvendësojnë, por munden”.

Artikulli paraprakQytetarët e Kosovës brenda një viti shpenzojnë mbi 300 milionë euro për duhan
Artikulli tjetërLinkedIn: Firmat e financave, teknologjisë dhe mallrave të konsumit po rekrutojnë punonjës