10 gabimet që mund të shmangen në fillimin e një biznesi të ri.

Është e pranuar gjerësisht në komunitetin e menaxherëve dhe investitorëve që sipërmarrësit mësojnë më tepër prej gabimeve sesa prej sukseseve. Nuk është e vështirë për ta marrë me mend që nëse një sipërmarrës bën një gabim herën e parë, nuk do ta përsërisë më herën e dytë. Nëse e përsërit, thjesht nuk bën për atë punë. Por megjithatë, nuk ka dyshim që alternativa më e mirë është të mësosh nga gabimet e të tjerëve. Ka një sërë gabimesh që një sipërmarrës i ri mund të bëjë duke humbur kështu shumë para, por në këtë postim do të sjell 10 më të përhapurat, sipas librit më të shitur të Ryan Blair “Nothing to lose, Everything to gain”:

Mos bëni parashikime shitjesh tepër optimiste. Të gjitha vlerësimet mbështetini në rezultatet e këshilltarëve me përvojë dhe studimeve të detajuara për një sektor të caktuar të tregut.
Mos punësoni njerëz që bien gjithmonë dakord me idetë tuaja. Rënia dakord të jep ndjesi të mirë, por nuk nxjerr para prej saj. Kërkoni për ide të reja që sfidojnë tuajat dhe dëgjojini me vëmendje ato. Në këtë mënyrë nxitet debati konstruktiv dhe ideja që kishit në fillim, mund të zëvendësohet nga një më e mirë.
Mos u përqëndroni edhe aq shumë tek konkurrenca. Është gjithmonë më produktive të përqëndrohesh tek krijimi i një oferte të sukseshme nga kompania që drejton, sesa të përpiqesh të zhdukësh konkurrentët. Të thuash gjëra negative për stafin e tyre, apo të vësh në dukje mangësitë e tyre është një situatë humb-humb.
Mos harxhoni kohë duke vrarë mendjen se çfarë mendojnë të tjerët. Nuk ka rëndësi se sa shumë përpiqeni, sepse nuk mund t’i kënaqni asnjëherë të gjithë. Mos kini frikë të ndiqni vizionin tuaj, të mësoni nga gabimet dhe të transformoni biznesin tuaj, edhe nëse dikush mund t’i shikojë ndryshimet si një zhgënjim.
Mos e bashkoni biznesin me qejfin. Kjo është veçanërisht e vërtetë për marrëdhëniet me të tjerët. Mos u vëllazëro me punonjësit e rinj menjëherë dhe zgjidhi partnerët e zgjuarsi. Nuk duhet të merresh me “punët e tua” aty dhe atëherë kur është koha për biznes.
Shpejt për të larguar dhe ngadalë për të rekrutuar. Tërhiqeni këmbëzën shpejt kur një i punësuar nuk di të bëjë punën siç duhet, por mos harroni të tregoheni njerëzorë dhe të ndiqni të gjitha procedurat ligjore. Nga ana tjetër, të punësoni dikë menjëherë pasi i keni parë CV-në, funksionon po aq sa funksionojnë martesat pas një takimi të vetëm në Las Vegas.
Mos mendoni që kompania juaj është më e rëndësishme sesa punonjësit tuaj. Një kompani është një entitet që ndryshon sipas vullnetit të njerëzve. Skuadra e punonjësve të kompanisë ka një pasion të përbashkët dhe një inteligjencë me të vërtet të vlefshme. Bëni që kompania tu përshtatet këtyre karakteristikave dhe jo të ndodhë e anasjellta.
Mos i nënvlerësoni nevojat për para. Kur ke njerëz dhe familjet e tyre që varen nga rroga që ju duhet t’i jepni, por ju nuk keni para, kjo është një tjetër situatë humb-humb.
Mos u mundoni të bëni shumë gjëra njëkohësisht. Mund të keni dëgjuar për sipërmarrës që drejtojnë nga dy kompani të mëdha në të njëjën kohë, si Steve Jobs me Apple dhe Pixar. Gjithsesi, sigurohuni fillimisht që të mund të drejtoni me sukses një biznes me një linjë të vetme produkti, pastaj shikoni mundësinë për tu zgjeruar.
Mos dërgoni asnjëherë një mesazh që nuk do donit ta merrnit. Shumë prej nesh mund të kemi nisur një email apo mesazh gabim, apo që është keqinterpretuar nga marrësi. Mundohuni të mos shkruani gjëra ofenduese apo prekëse në këto mesazhe. Në rastet kur ka diçka që mund të keqinterpretohet apo të shërbejë si ofendim, mundohuni që të organizoni me marrësin një takim të qetë kokë-më-kokë.
Ka edhe të tjera, por një ide duhet ta keni marrë. Siç thashë edhe në fillim, gabimi më i madh është të mos mësosh nga gabimet e të tjerëve, apo më keq akoma, nga gabimet tuaja të mëparshme. Por mbani mend që mund të mësoni nga to, vetëm pasi t’i keni pranuar që i keni bërë.

Artikulli paraprakKarakteristikat e menaxherit të shekullit të ri
Artikulli tjetërMarketingu në shumë nivele (MLM) dhe gjykimi islam për të