Numër në rritje i bankave islamike

Turqia mbështet gjithnjë e më shumë zhvillimin e sektorit të bankave islamike: me këtë synohet që të tërhiqen më fort investime nga vendet myslimane. Ekspertët e përshëndësin këtë, kritikët janë të shqetësuar.

Përdorimi i bankave islamike, i të ashtuquajturave banka me pjesëmarrje, po bëhet gjithnjë e më i preferuar në Turqi. Statistika e shoqatës turke të bankave me pjesëmarrje(TKBB) tregon: që prej vitit 2006, sektori i bankave islamike në Turqi është rritur me 25 deri 30 përqind në vit. Në fillim të këtij viti ishin rreth 800 filiale me gjithsej katër banka islamike. Aktualisht numri i tyre ka arritur në 900. Ndër bankat me pjesëmarrje janë “Bank Asya”, “Türkiye Finans”, “Kuveyt Türk” dhe “Albaraka Türk”. Tri prej katër bankave janë të rajonit të Gjirit Persik.
Bankat me pjesëmarrje mbulojnë rreth pesë përqind të sektorit bankar turk. Për zëvendëskryeministrin Ali Babacan, kjo përqindje është përtej asaj që pritej.
“Bankat me pjesëmarrje duhet të zotëronin një pjesë më të madhe, për t’u mundësuar sa më shumë njerëzve këtu aksesin në financim. Në këtë mënyrë sektori financiar mund të bëhet më gjithëpërfshirës”, citohet Babacan nga gazeta Hyrriyet.

Dallimi nga sistemi tradicional bankar
Bankat me pjesëmarrje bazohen në të drejtën islame. Sipas Kuranit, interesat bankare janë të ndaluara – ato as duhet të kërkohen, as duhet të paguhen. Në këtë mënyrë bankat islamike nuk lejohet të japin kredi me interesa. Por ndarja e fitimeve është e lejuar. Bankat e zakonshme i mbledhin paratë me pagimin e interesave. Përkundrazi, bankat me pjesëmarrje i mbledhin paratë në kuadër të një marrëveshjeje fitim/humbje. Banka me pjesëmarrje në këtë mënyrë nuk jep hua para, por i nxjerr fitimet e saj nga tregtia. Marrëdhënia me klientin është në këtë mënyrë një marrëdhënie tregtare. Huatë islamike në sistemin bankar islamik quhen “Sukuk-e”.
“Ne jemi shumë pranë klientëve tanë dhe e dimë me saktësi se për se përdoren paratë tona.

Në institutet bankare të zakonshme, kreditmarrësi mund t’i përdorë paratë që merr kur të dojë dhe për se të dojë. Rrjedha e parave është më pak transparente. Kurse llogaritë rrjedhëse bankare te ne janë partneritete…”, thotë Osman Akyüz, sekretar i përgjithshëm i bankave me pjesëmarrjenë bisedë me DW.

Frikërat për islamizim janë pa bazë
Turqia e përdor financimin islamik që në fund të viteve ’80, atëherë përmes instituteve financiare private. Në vitin 2006, këto institute u njohën zyrtarisht si banka me pjesëmarrje. Në vitin 2010, instituti bankar “Kuveyt Türk” dha të parin “Sukuk” të vendit, thotë Akyüz. “Vitin e kaluar qeveria dha në tregun ndërkombëtar Sukuk-e me vlerë deri 1,5 miliardë dollarë. Këtë vit ishin tashmë 3,3 miliardë dollarë,” shpjegon Akyüz.
Turqit laikë druhen se përmes intensifikimit të sistemit bankar islamik, Turqia do të islamizohet më fort. Por Akyüz thekson se kemi të bëjmë me një lloj aktiviteti ekonomik, që është tërheqës për botën islame. “Ne e quajmë pjesëmarrje.” Nuk ekzistojnë financime hebreje, të krishtera apo myslimane, thekson Akyüz.
Bankat islamike janë aktive edhe në vende jomyslimane. Në vitin 2010, “Kuvyet Türk bankë me pjesëmarrje” hapi një filial në Mannheim dhe që prej vitit 2004 ekziston “Banka islamike e Britanisë” me gjithsej katër filiale në Britaninë e Madhe./dw

 

Artikulli paraprakBritania e Madhe do të emetojë titull borxhi islam
Artikulli tjetërStamboll: U përurua “Qendra për Zhvillimin e Financave Islame Globale”