Zekati për fabrika, apartamente, ferma dhe të ngjashme

“Jepni pa u kursyer nga të mirat që keni ftuar, dhe nga ato që jua kemi nxjerrë Ne nga toka”! (El Bekare, 267).

Gjatë shtjellimit të tematikës së zekatit, kemi shpjeguar pesë llojet e pasurive, prej të cilave duhet dhënë zekat, e që ishin: Zekati i kullotave apo bagëtive, ku hynin devetë, lopët, dhentë e dhitë; zekati për ar, argjend dhe valuta bashkëkohore; për mall tregtie, që konsiderohet çdo send që është bërë gati për shitblerje me qëllim përftimi; për të vjelat dhe të korrat, pra për prodhimet që vilen dhe që korren; dhe për pasuritë nëntokësore e thesaret e fshehura, ku përfshihen mineralet xeherore, pasuritë e ndryshme që gjenden në brendësi të tokës dhe thesaret e ndryshme, si ari, argjendi, bakri e të ngjashme. Për të gjitha këto lloje, shumë të rëndësishme, kemi diskutuar veç e veç, duke i paraqitur në formën më reale të mundshme, e për të cilat ka tekste të qarta që obligojnë domosdoshmërinë e nxjerrjes së zekatit. Ndërkaq, në këtë shkrim, do të shtrojmë një çështje tjetër, e cila ka ndërlidhje të ngushtë me disa nga llojet që i kemi shpjeguar në shkrimet në numrat paraprakë. duhet theksuar që në fillim se kjo çështje është e re, për shkak se në të kaluarën nuk kishte apartamente të mëdha dhe as fabrika, prandaj as që janë përmendur në librat e juristëve të hershëm, mirëpo e kanë trajtuar juristët e mëvonshëm dhe aktualë.

Ç’kuptojmë me këtë lloj?

Ky lloj, në Jurisprudencën islame njihet me emrin “el-Mustegil-lat”, me se nënkuptohet: “Pasuria e cila nuk konsiderohet për shitje, mirëpo konsiderohet për zhvillim (përftim), duke marrë prej saj dobi dhe fryte, kur ajo që prodhohet, shitet.”Pra, objekti mbetet, e prodhimi i objektit shitet. Ky është dallimi në mes kësaj pasurie dhe mallit të tregtisë, që e kemi diskutuar në llojin e tretë të pasurive, ngase malli i tregtisë shitet, pra kalon nga pronari tek një pronar i ri, kurse te ky lloj i pasurisë, objekti mbetet, kurse prej ti ka dobi dhe arrihet fitimi. Kur e themi dobia, këtu përfshihet edhe dhënia me qira e apartamenteve dhe veprime të ngjashme. Pra, ajo që është e rëndësishme këtu, është fakti se objektet nuk shiten, por zekati jepet nga përftimi prej tyre që bëhet në mënyra të ndryshme.

Ç’hyn në këtë lloj?

Në këtë lloj hyjnë gjëra të ndryshme, që juristët i kanë përmendur kohët e fundit, si për shembull: ndërtesat; ato që lëshohen me qira dhe për shfrytëzim, fabrikat, fermat e lopëve për qumësht etj., fermat e pulave për prodhimin e vezëve, aniet, veturat dhe aeroplanët që transportojnë dhe bartin njerëz.(1) Këtu futen edhe gjëra të tjera, por jo të gjithë dijetarët e pranojnë këtë, prandaj do të jetë me dobi ta shtjellojmë këtë tematikë sipas juristëve, se çfarë mendojnë ata dhe a janë të ndarë në këtë çështje apo janë të bashkuar?

Qëndrimi i juristëve ndaj këtij lloji

Që në fillim kam theksuar se kjo lloj pasurie, është e re, prandaj edhe fetvatë për këtë çështje janë krejtësisht të reja dhe të kohës aktuale, po megjithëkëtë, juristët kanë mendime të ndryshme rreth këtij lloji.

Mendimi i parë: Nuk parashihet të jepet zekat, përveç për ato (lloje pasurie) që kanë ardhur me tekst, prandaj qëndrimet e këtyre juristëve argumentohen si në vijim:
1. I Dërguari i Allahut, ka përcaktuar qartë pasuritë, prej të cilave jepet zekati, e për pasuri si ndërtesa, fabrika dhe të ngjashme, nuk ka parashikuar asgjë. Dhe, përderisa nuk ka ndonjë tekst të qartë për këtë, prej tyre nuk lejohet të nxirret zekati, përpos atëherë kur ka ndonjë tekst të qartë, qoftë nga Kur’ani dhe qoftë nga syneti.
2. Përveç kësaj, qëndrimet e këtyre juristëve argumentohen edhe me faktin se juristët myslimanë, nga të gjitha vendet dhe nëpër kohë të ndryshme, nuk kanë parashikuar që nga kjo pasuri të jetë obligim dhënia e zekatit. Prandaj, këta juristë kanë theksuar se nuk ka zekat për mjete transportuese që bëhen me qëllim tregtimi, as për ndërtesa apo fabrika, sado të mëdha dhe gjigante të jenë ato, dhe as për gjëra të ngjashme me këto. Ky mendim i këtyre juristëve konsiderohet me tendenca kufizimi, që nga juristët bashkëkohorë trajtohet si medhheb i vjetër, që është njohur
nga disa juristë të kohëve të hershme dhe është mbrojtur nga juristi dhahiri, Ibn Hazmi(2) e më vonë është mbrojtur edhe nga juristi i mirënjohur shevkani.(3)

Mendimi i dytë: Në dallim nga mendimi paraprak, juristët e tjerë janë të mendimit se obligohet dhënia e zekatit edhe për llojet për të cilat jemi duke diskutuar, qofshin ato fabrika, ndërtesa a pasuri të ngjashme me to.(4) Këta juristë bazohen në argumentet vijuese:
1. Allahu i Lartmadhëruar e bëri detyrim që nga secila pasuri të jepet një pjesë e caktuar e zekatit a sadakasë. Ai ka thënë: “Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar. Për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp”. (Mearixh, 24-25). Po ashtu thotë: “Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë, që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…” (Et-Tevbe, 103).
2. Arsyeja që obligon dhënien e zekatit për pasurinë, është shtimi dhe rritja e pasurisë dhe, kurdo që realizohet shtimi dhe rritja e pasurisë, obligohet edhe dhënia e zekatit për të.
3. Urtësia e ligjësimit të zekatit është pastrimi për ata që e japin. Dhënia e zekatit, i pastron ata dhe pastron pasurinë e tyre. Dhe, përveç kësaj, dhënia e zekatit është ndihmë për nevojtarët, sikurse konsiderohet edhe ndihmë e fuqishme në ruajtjen e fesë islame e të shtetit dhe në përhapjen e thirrjes së vërtetë. Prandaj, ata që e japin zekatin, në të gjitha format, pastrojnë vetveten e tyre dhe pastrojnë pasurinë e tyre, ndihmojnë nevojtarët dhe të varfrit, ndihmojnë kombin dhe fenë e tyre, derisa të forcohet komuniteti, të barazohen shtresat e njerëzve dhe të lartësohet fala e fesë dhe e besimit. Juristët e këtij mendimi u kundërpërgjigjen juristëve që ndalojnë zekatin për këto lloje, duke thënë: “Për sa i përket mendimit të tyre, që nuk parashohin zekat përveç për ato lloje për të cilat ka ardhur teksti nga Kur’ani a nga syneti, i përgjigjemi se mosardhja e ndonjë teksti nga i Dërguari i Allahut për këtë çështje, nuk mund të merret si argument për mosdetyrimin e këtij lloji të zekatit, për faktin se i Dërguari i Allahut kishte përmendur pasuritë e ndryshme që ishin të përhapura në shoqërinë arabe të kohës së ti, siç ishin: devetë, lopët, shtazët e ndryshme, gruri, hurmat, të mbjellat, valutat e asaj kohe, e kështu me radhë.
E, përveç atyre që janë cekur në hadithe profetike, myslimanët kanë obliguar zekat edhe për lloje të tjera për të cilat ka munguar teksti, duke bërë analogji me ato lloje që ishin bërë legjitime si dhe duke vepruar me tekste të përgjithshme. Juristët, në lidhje me këtë, kanë theksuar se nuk ka ardhur ndonjë tekst(5) decidiv për obligueshmërinë e mallit të tregtisë6, por janë komentuar me tekste të përgjithshme dhe janë bërë analogji me llojet e tjera. Mirëpo, juristët myslimanë kanë rënë në dakord për sa i përket këtij lloji të pasurisë, për të cilën duhet të jepet zekat, kur arrin nisabin e caktuar,(7) ndonëse, shumë prej tyre janë të mendimit se nuk ka ndonjë tekst të prerë nga Kur’ani dhe nga syneti, por ka shumë transmetime të ndryshme që përforcojnë njëri-tjetrin.(8)
Në bazë të analogjisë, ndonëse në mungesë të teksteve ekskluzive, juristët kanë paraparë zekat për lloje të ndryshme, si Omeri – për kuaj, me kushte të caktuara, Ahmedi obligoi zekatin e mjaltit, duke u bazuar në athare dhe duke bërë kias me fruta dhe të mbjella. Ai po ashtu e pa të arsyeshme që të ketë zekat edhe për secilin mineral (gjegjësisht për çdo gjë që nxirret nga toka), duke bërë analogji me arin dhe argjendin, si dhe duke u mbështetur në falët e përgjithshme: “Jepni pa u kursyer nga të mirat që keni ftuar, dhe nga ato që jua kemi nxjerrë Ne nga toka”! (El Bekare, 267).
Ebu Jusuf është i mendimit se për të nxjerrat nga deti duhet të ketë zekat (një e pesta), duke bërë analogji me mineralet dhe pasuritë nëntokësore.
Gjithashtu, këta juristë të këtij grupi i kundërpërgjigjen grupit të parë –që mendojnë se myslimanët nga të gjitha vendet dhe nëpër kohë të ndryshme nuk kanë paraparë që kjo pasuri të jetë obligim për zekat-, duke thënë se ky lloj i pasurisë nuk ekzistonte në kohët e tyre, prandaj dijetarët e mëvonshëm, nga ixhtihadi i tyre, nxorën dispozita të reja, ngase koha dhe risitë e saj u imponuan një gjë të tillë. Sidoqoftë, ky mendim, ndonëse i ri, po gjen përkrahës gjithnjë e më shumë, sidomos në kohën tonë.

Si të merret zekati nga ndërtesat dhe fabrikat?

Nëse flasim për vetura, anie, aeroplanë, makina dhe mjete të ndryshme, që janë objekt në këtë temë, atëherë, nëse përdorimi i tyre është personal dhe nuk ka për qëllim fitimin apo biznesin, nuk parashihet zekat për to, ndërsa, nëse me to synohet të ftohet dhe fitimi arrihet, atëherë parashihet dhënia e zekatit, sikurse për mallin e tregtisë, me të gjitha kushtet dhe kuotën e caktuar. Jo vetëm kaq, por edhe nëse këto mjete jepen me qira, edhe atëherë duhet të jepet zekati, sikurse ka thënë edhe juristi i njohur hanbeli
– Ibni Akil: “Për çdo gjë që jepet me qira, e nga e cila arrihet fitimi, duhet dhënë zekat (nëse plotësohen kushtet”.(9) Pra, ndërtesat dhe fabrikat, me të cilat bëhet biznes, qoftë edhe duke u dhënë me qira, sipas juristëve të grupit të dytë, duhet dhënë zekat. Madje këta juristë, në kohën tonë flasin edhe për kompanitë e ndryshme, sikur janë ato të taksive, parashihet të jepet zekati, kurdo që plotësohen kushtet dhe arrihet kuota e caktuar. Tokat dhe pasuritë e ndryshme, sipas juristëve, konsiderohen si pasuri të fjetura, nëse nuk punohen, por nëse në to vihen mjete të ndryshme ose ndërtohen fabrika, atëherë duhet të jepet zekati, jo për tokën, po për shkak të të ardhurave dhe përftimeve nga objektet në to.

Kuota e caktuar

Për sa i përket nisabit, për këtë lloj që e kemi temë diskutimi, juristët që lejojnë dhënien e zekatit, nisabin e marrin bazë të mallit të tregtisë. Zekati për mall tregtie jepet 2.5% për fitimin e pastër, po edhe për kapitalin, së bashku. Mirëpo, përveç këtij mendimi, ekziston edhe një mendim tjetër, që është shumë i ri, i cili nuk mbështetet në kuotën e caktuar të mallit të tregtisë, por mbështetet në kuotën e caktuar të prodhimeve bujqësore (të vjelave dhe të korrave), që është 10% ose 5%. Këtë mendim e kanë shfaqur duke u mbështetur në analogji (kias), dhe përfaqësues të këtij mendimi janë Ebu Zehreh, Abdurrahman Hasen dhe AbdulVehab Halaf. Këta argumentojnë se prodhimet bujqësore mbillen në tokë, e për to parashihet të jepet zekat 5%-10%, në varësi nga mënyra e ujitjes që është bërë, prandaj bëjnë analogji edhe me ndërtimet në tokë, nëse ato janë për biznes dhe për përftim, dhe për objekte të tjera në tokë, që nuk mund të lëvizen, parashihet 10% (si fabrikat ose apartamentet), ndërsa për ato që nuk mund të lëvizen 5% (si firmat e taksive, autobusëve, mjetet e ndryshme transportuese). Këtë mendim të fundit e përkrah edhe juristi bashkëkohor Jusuf Kardavi, por me disa kushte të caktuara.(10)

Koha kur llogaritet kuota

Për sa i përket kohës se kur llogaritet apo konsiderohet kuota e caktuar për dhënien e zekatit, disa juristë janë të mendimit se ajo duhet dhënë në çdo muaj, po të tjerët parashohin që dhënia e zekatit të bëhet për çdo vit dhe jo në çdo muaj, ngase kjo do të jetë më e dobishme për të varfrit dhe nevojtarët. Këtu duhet përmendur se zekati nuk merret nga këto gjëra, po vetëm pasi të paguhen shpenzimet, taksat, borxhet dhe gjërat e tjera që ndërlidhen me to. Dhe, nëse pas heqjes së tyre mbetet fitimi që arrin kuotën e caktuar, atëherë duhet dhënë zekati. Kështu, sa për ilustrim, nëse dikush ka ndonjë dyqan të lëshuar me qira, e fitimi është i vogël dhe i nevojshëm për anëtarët e familjes, atëherë nuk parashihet dhënia e zekatit, ngase nuk janë plotësuar kushtet.

Përfundim

Sidoqoftë, ky është një lloj i ri i pasurisë, për se në kohën bashkëkohore, juristët – në numër gjithnjë e më të madh- janë të mendimit se duhet dhënë zekat për to, si për ndërtesa të mëdha, banesa, mjete transportuese të ndryshme, ferma të ndryshme, kurdo që këto bëhen për biznes dhe përftim, duke u mbështetur në analogji dhe në risitë që koha bashkëkohore i solli njerëzimit. Megjithëkëtë, në anën tjetër, shumë juristë as që parashohin të ketë zekat për këto gjëra, me arsyetimin se për to nuk ka ndonjë tekst.

________________
1. Et-Tajar, Abdullah in Muhamed, Ez-Zekah, f. 105.
2. Për faktin se dhahirinjtë bazohen vetëm në tekste të dukshme e të qarta.
3. Kardavi, Jusuf, Fikhu’z Zekah, vëll.1, f. 461-462.
4. Të këtij mendimi janë disa juristë malikinj dhe hanbelinj, sikurse edhe një pjesë e juristëve bashkëkohorë.
5. Me përjashtim të hadithit që transmetohet nga Semurete ibn Xhundub, ku thuhet: “I Dërguari i Allahut na urdhëronte ne që të jepnim zekat për ato që ne i konsideronim mall tregtie”. (Ebu Davudi, nr. 1335).
6. Kardavi, Jusuf, Fikhu’z Zekah, vëll.1, f. 463.
7. Ibni Kudameh, El-Mugni, vëll.2, f. 30.
8. Sabik, Sejid, Fikhu’s Suneh, vëll.1, f. 407.
9. Këtë mendim e përkrah edhe Ibni Kajjimi: Bedaiu’l Fevaid, vëll.3, f. 143.
10. Shih më tepër për këtë: Kardavi, Jusuf, Fikhu’z Zekah, vëll. 1, f. 479-481.

Mr. Ejup Haziri

Artikulli paraprakZekati i drithërave dhe i frutave apo kokrrave
Artikulli tjetërDobitë e dhënies së zekatit