Zekati: kuptimi, rëndësia, qëllimet dhe kushtet e tij

Kuptimi i fjalës “zekat”

Fjala “zekat”, në gjuhën arabe, ka disa kuptime: shtim, më e mira e një gjëje, pastërti, zhvillim, bereqet etj. Është quajtur kështu ngase e shton dhe e zhvillon pasurinë.
Ndërkaq, në terminologjinë fetare dijetarët kanë dhënë disa përkufizime:
1. Imam Ali Xhurxhani ka thënë: Obligimi i një pjese të pasurisë, në lloj të caktuar të pasurisë, për një pronar të caktuar.
2. Njëri prej përkufizimeve të dijetarëve hanefi është: T’i kalosh në pronësi një pjesë të caktuar të pasurisë, prej pasurisë së caktuar, një personi tëcaktuar, për Allahun e Madhëruar.
3. Imam Ibn Kudame ka thënë: Detyrë obligative në pasuri.
4. Ndër definicionet e dijetarëve bashkëkohorë po e përmend vetëm atë të dr. Abdullah Gufejlit, i cili thotë: “Pjesë e caktuar fetarisht, në pasuri të caktuar, ndaj kategorive të caktuara, në mënyrë të caktuar.”
Sqarim i përgjithshëm i këtyre përkufizimeve:
“Pjesë e caktuar”, është për qëllim 2.5%.
“Ne pasuri të caktuar”, është për qëllim: ari, argjendi, kafshët etj., prej të cilave nxirret zekati.
“Personit të caktuar”, ka për qëllim tetë kategoritë, të cilave u jepet zekati.

Rëndësia
Zekati është shtylla e tretë e Islamit dhe, së bashku me namazin, në Kuranin fisnik është përmendur në shumë ajete kuranore. Allahu i Madhëruar thotë: “Faleni namazin dhe
jepeni zekatin.”(Bekare, 43). Po ashtu obligimi i tij ka ardhur në shumë hadithe të të Dërguarit lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Prej tyre theksojmë hadithin e Abdullah ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tregon se i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Islami është ndërtuar
mbi pesë (shtylla): mbi dëshminë “la ilahe il-lallah ue enne Muhameden resulullah”, mbi faljen e namazit, dhënien e zekatit.(Buhariu)
Njashtu zekati ka qenë obligim edhe te të dërguarit e mëhershëm. Allahu i Madhëëruar, në lidhje me Ibrahimin lavderimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të dhe pasardhësit e tij, thotë: “Dhe ata i bëmë shëmbëlltyrë që udhëzonin sipas urdhrit Tonë, i orientuam në punë të mira, në faljen e namazit, në dhënien e zekatit, dhe
ata ishin adhurues Tanë të sinqertë.”(el Enbija,73)

Objektivat (qëllimet) e zekatit
1. Adhurimi i Allahut të Madhëruar, duke kryer një prej obligimeve më të mëdha; nuk është taksë, por ështe nënshtrim ndaj Allahut të Lartësuar, duke shpresuar shpërblimin e madh prej Tij në Ditën e Gjykimit.
2. Falënderimi i Allahut për pasurinë që ia ka dhuruar njeriut.
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe (rikujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat, e, nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi im është i vështirë!”(Ibrahim, 7).
Nga ky këndvështrim themi se muslimani e ka obligim që ta falënderojë Allahun për begatinë e pasurisë që ia ka dhenë.
3. Pastrimi prej mëkateve. Allahu i Madhëruar thotë: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…”( et Tewbe, 103)
4. Personi që e jep atë, shërohet prej vesit të koprracisë, sepse koprraci e ka shumë të vështirë të nxjerrë diç prej pasurisë së tij për t’ia dhënë dikujt. Ndërkaq, përmes dhënies së zekatit çlirohet nga ky ves dhe mësohet të japë.
5. Pastrimi i vetë pasurisë, sepse në pasurinë që e posedojmë kemi obligime kundrejt nevojtarëve. E, sikur kjo pasuri të mos u jepej atyre që duhet dhënë, bëhet e ndytë, por, nëse u jepet, ajo pastrohet.
6. Ndihma ndaj të varfërve dhe mbulimi i nevojave të tyre elementare, ashtu që edhe ata ta kenë një jetë më të lehtë e më fisnike. Po ashtu, kjo bëhet shkak per t’i larguar ata nga fitimi i pasurisë në mënyrë të ndaluar.
7. Shtimii pasurisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu zhduk kamatën dhe shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë mohues dhe mëkatar.”(el Bekare, 276)
8. Thirria islame. Dhënia e zekatit të varfërve i shtyn ata që edhe më tepër të kapen për fenë islame, si dhe rastin kur ata janë kategori që dëshirojmë t’ua përfitojmë zemrën.

Kushtet e zekatit

1.Islami
Jomuslimani nuk obligohet për të dhënë zekatin, siç nuk i kërkohet kryerja e asnjë obligimi tjetër fetar islam pa e pranuar Islamin.

2. Arritja e nisabit
Nisabi është kufiri i caktuar fetarisht. Secila kategori e pasurisë, për të cilën obligohemi ta nxjerrim zekatin, e ka edhe kufirin përkatës, nisabin, që, nëse një person nuk e ka arritur atë, nuk e ka obligim për ta dhënë zekatin. Për shembul, nëse një person ka vetëm 70 euro, atëherë kjo pasuri nuk e ka arritur nisabin. Rrjedhimisht, themi se nuk e ka obligim që ta japë zekatin, sepse nuk e ka përmbushur njërin prej kushteve të zekatit, që është arritja e nisabit.
Argument për këtë kusht e kemi hadithin e Ebu Seid Hudriut (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili transmeton se i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Nuk ka zekat në më pak se pesë evakë. Nuk ka zekat në më pak se pesë deve dhe nuk ka zekat në më pak se pesë evsukë.”(Buhariu, Muslimi).

Evak është njësi matëse e argjendit. Kështu, një evak është i barasvlershëm me 40 dërhemë. Pra, 5 evakë bëjnë 200 dërhemë.
Evsuk është njësi matëse e drithërave dhe frutave apo kokrrave. Një evsuk është i barabartë me 60 saë, e një saë është e barabartë me 2.040 gramë.

3. Qëndrimi i pasurisë një vit
Nëse pasuria që e ka një person e ka arritur nisabin, atëherë pasuria në fjalë duhet të qëndrojë te ky person një vit (vit henor d.m.th. 355 ditë), e pastaj të nxirret zekati, e jo të nxirret zekati sapo ta arrijë nisabin. Ky kusht vlen për arin, argjendin, paratë, mallrat shitëse dhe kafshët. Argument për këtë kusht e kemi hadithin e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili transmeton se i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të ka thënë:
“Nëse ke dyqind dërhemë, të cilëve u kalon një vit…”(ebu Davudi)
Në drithëra dhe në fruta apo kokrra zekati nxirret menjëherë pas korrjes apo vjeljes.

4. Liria, përkatësisht e kundërta e robërisë
Dijetarët e vënë këtë kusht, ngaqë robëria ka qenë evidente deri në kohët e vonshme, ndërsa tani nuk gjendet. Sidoqoftë, robërit nuk e japin zekatin, sepse ai kërkohet vetëm prej atyre që janë të lirë.

5. Pasuria në fjalë duhet të jetë nën pronësinë ose nën posedimin e plotë të personit
Rrjedhimisht, për pasuritë që nuk janë nën pronësi ose posedim të plotë të personit nuk jepet zekati, siç janë: pasuria e humbur, vakëfet, shoqatat bamirëse etj., të cilat janë në pronësi të plotë të ndonjë personi të caktuar.

Burimi: “Përmbledhje e dispozitave të Zekatit” | Flamur Kabashi

Artikulli paraprak7 aftësi që duhet të ketë patjetër një menaxher projektesh IT
Artikulli tjetërRoli i filantropisë në zhvillimin ekonomik