Bankat komerciale në Kosovë nuk operojnë aq pastër siç raportohet çdo fundvit nga institucioni mbikëqyrës i tyre, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.
Këtë e dëshmojnë Raportet e Ekzaminimit të vetë Bankës Qendrore të cilat ka arritur t’i siguroj portali “Infokusi”, e që janë të cilësuara si dokumente sekrete dhe rreptësisht të ndaluara të bëhen publike nga bankat ose cilido anëtarë i menaxhmentit, drejtorët ose stafi i BQK-së.
Në këto raporte të ekzaminimit të bankave komerciale, pasqyrohen shumë parregullsi deri të ato me ekstremet ku bankat nuk respektojnë kriteret e BQK-së, lëshojnë kredi të cilat nuk janë të klasifikuara sipas standardeve të BQK-së, e deri të dyshimet se bankat nuk kanë kontrollin e duhur për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.
“Banka nuk ka profilizuar dhe kategorizuar të gjithë klientët sipas shkallës së rrezikshmërisë nga pastrimi i parasë dhe financimi i terrorizmit”, shkruan në raportin e ekzaminimit të njërës nga bankat e Kosovës.
Tutje, në raporte janë gjetur edhe kredi jo-performuese, po ashtu shkruan se ka pasur edhe ndërhyrje dhe cenim të privatësisë së auditorëve duke i ofruar kompensime.
Në dy raporte të bankave po ashtu shkruan së nuk kanë siguruar pajtueshmëri të plotë me politikat dhe procedurat kreditore.
Në njërin prej raporteve, shkruan së njëra prej bankave komerciale ia ka falur njw kompanie interesin ndëshkues pa mbështetje në politikat e BQK-së. Po ashtu nuk është respektuar kriteri për afatin e maturimit për stafin duke lejuar kredi me 10 vite maturim në shuma të vogla. Në këtë pikë së paku 3 degë të një bankë kanë shkelur limitin e caktuar. Gjithashtu banka nuk ka respektuar edhe limitet për analistët kreditor.
Banka, gjithashtu sipas këtij raporti nuk ka përmbushur plotësisht rekomandimet e ekzaminimeve të mëparshme.
Ndërkaq, në një raport tjetër, shkruan se njëra bankë e ka mashtruar BQK-në, duke mos bërë raportime të sakta. Me dhjetëra shkelje tjera kanë të bëjnë me mospajtueshmëri me rregulloren dhe rregullat e BQK-së, tejkalim në shuma të mëdha të mbitërheqjes, mosrespektim i procedurave të kreditimit, mos evidentim i mbitërheqjeve të paautorizuar dhe mos korrigjim në të hyrat e kredive të vonuara.
Në një raport tjetër të BQK-së, është evidentuar se njëra prej bankave komerciale është duke operuar me humbje të mëdha, që kalojnë vlerën mbi 600 mijë euro.
Pas këtij paralajmërimi, “Infokusi” në ditët në vijim do t’i publikoj këto raporte një nga një për secilën bankë komerciale dhe të gjitha shkeljet që i kanë bërë këto institucione financiare, bazuar në raportet top sekrete të BQK-së. Infokusi poashtu ka siguruar edhe raportet e auditimit të BQK-së, dokumentet e investimeve të letrave me vlerë si dhe listat e aksionarëve nëpër bankat e Kosovës dhe protofolet e kredive dhe depozitat e klientëve. /Infokusi/