Vakëfi kundrejt trusteve

Duke humbur çdo kontakt me Romën, Evropa Mesjetare u njoh me donacionet filantropike përmes sistemit islam të vakëfeve. Kjo dëshmohet nga Monica Gaudiosi, e cila ka ndërmarrë një studim mbi origjinën e trusteve angleze (Gaudiosi, 1988). Fillimisht, Gaudiosi sfidon pikëpamjen e zakonshme mes studiuesve evropianë, sipas së cilës origjina e trusteve angleze rrjedh nga e drejta romake ose ajo gjermanike. Ajo e kundërshton këtë teori duke argumentuar se trustet u zhvilluan nga një mekanizëm mesjetar anglez për mbajtjen e pronës, i njohur si use.

Së pari, duke marrë në shqyrtim fideicommissumin romak, ajo kujton se lidhja midis këtij institucioni dhe trusteve angleze ishte hedhur poshtë që në shekullin XIX, me arsyetimin se ngjashmëritë mes tyre ishin vetëm sipërfaqësore. Për më tepër, ndërsa fideicommissumi romak ishte një mekanizëm thjesht testamentar, use e hershme angleze rrallëherë buronte nga një testament.

Më pas, ajo kundërshton idenë se origjina e trusteve angleze mund të gjurmohet tek Lex Salica, kodi ligjor i frankëve salianë, një fis gjermanik. Në këtë refuzim, ajo gjen mbështetje edhe nga Cattan. Më pas, ajo paraqet një argument të fuqishëm përse vakëfet islame përbëjnë burimin e trusteve angleze. Pikat kryesore të këtij argumenti janë si më poshtë:

  1. Ndërsa ndarja e pronësisë nga e drejta për ta përdorur dhe përfituar nga një pasuri nuk ishte një koncept i ri juridik, vendosja e së drejtës për ta përdorur dhe përfituar nga pasuria e dhuruar për breza të njëpasnjëshëm në përjetësi për një qëllim bamirës ishte një institucion i krijuar nga juristët klasikë myslimanë gjatë tre shekujve të parë të Islamit. Nuk ka dëshmi se një sistem kaq i ndërlikuar i caktimit të së drejtës për ta përdorur dhe përfituar nga një pasuri për përfitues të ndryshëm dhe të njëpasnjëshëm ka ekzistuar para Islamit (Cattan, 1955: 205).
  2. Shfaqja e trusteve përkon me një periudhë të shtuar të kontakteve midis Evropës dhe botës islame. Në fakt, fretërit françeskanë, të cilët besohet se futën use në Angli, ishin aktivë në Lindjen e Mesme. Vetë Shën Françesku kaloi vitet 1219 dhe 1220 në territoret islame.
  3. Jerusalemi ishte një pikë kontakti veçanërisht e rëndësishme midis Anglisë dhe botës islame për shkak të pranisë atje të Urdhrave të Templarëve dhe Hospitalierëve (kujdestarëve shëndetësor për pelegrinët). Meqenëse dihet mirë se këto urdhra patën një ndikim të madh në zhvillimin e Inns of Court në Anglinë e shekullit XIV, transmetimi i institucioneve ligjore nga bota islame në Angli tashmë është dëshmuar. Për më tepër, hulumtimet e fundit kanë treguar se ky transmetim nuk mbeti i kufizuar vetëm në Inns of Court, por edhe një pjesë e madhe e së drejtës së shoqërive tregtare u huazua nga myslimanët (Çizakça, 1996). Për rrjedhojë, të gjitha kushtet e nevojshme për transferimin e vakëfeve – kontakti, njohuritë e detajuara mbi funksionimin e institucionit që do të merrej – tashmë ekzistonin.
  4. Më e rëndësishmja është se ngjashmëria midis vakëfeve islame dhe trusteve angleze është e habitshme. Në të dy sistemet, prona ruhet dhe e drejta për ta përdorur dhe përfituar prej saj është i destinuar për përfitues të caktuar ose për një qëllim bamirës të përgjithshëm. Korpusi bëhet i patjetërsueshëm; mund të krijohen të drejta përdorimi për përfitues të njëpasnjëshëm, sipas dëshirës së themeluesit, pa marrë parasysh ligjin e trashëgimisë apo të drejtat e trashëgimtarëve, ndërsa vazhdimësia e institucionit sigurohet përmes emërimit të njëpasnjëshëm të kujdestarëve.
  5. Është argumentuar se ekziston një ndryshim i madh midis dy sistemeve: ndërsa në rastin anglez, kujdestari (trustee) konsiderohet si pronar i trustit, në vakëfin islam, myteveliu nuk konsiderohet pronar i vakëfit. Në realitet, kujdestari (trustee) nuk është pronar i trustit më shumë sesa myteveliu është pronar i vakëfit. Funksioni kryesor i të dyve është administrimi i pasurisë, jo për përfitimin e tyre personal, por për përfituesit e përcaktuar në trust apo vakëf.
  6. Një tjetër ndryshim i supozuar lidhet me kohëzgjatjen: vakëfi duhet të jetë i përhershëm, ndërsa trusti, përveç atij bamirës, nuk mund të jetë i përhershëm. Megjithatë, duhet kujtuar se në Angli, trustet fillimisht mund të krijoheshin në përjetësi, deri sa u vendos rregulli kundër përjetësisë (rule against perpetuities).
  7. Është argumentuar, megjithatë, se ekziston një dallim shumë i rëndësishëm: qëllimi i vakëfit apo trustit. Një trust mund të krijohet për çdo objektiv të ligjshëm, ndërsa një vakëf, në të kundërt, duhet të jetë për bamirësi. Bamirësia është një kusht i domosdoshëm (conditio sine qua non) për të gjithë vakëfet, përfshirë ato familjare (Cattan, 1955: 212). Por ky dallim, i theksuar nga Cattan, në realitet është zbutur. Dokumentet osmane tregojnë se ka pasur shumë vakëfe të themeluara për një gamë të gjerë qëllimesh, disa prej të cilave vështirë se mund të konsiderohen rreptësisht bamirëse.

Ndërsa të gjitha argumentet e mësipërme ofrojnë prova të fuqishme dhe bindëse se vakëfi islam përbën burimin e trusteve angleze, disa dallime të imëta rituale midis dy sistemeve pranohen gjithashtu. Këto dallime janë shpjeguar mjaft mirë nga Jones (1980) dhe Hodgson (1968).

Megjithëse është e rëndësishme të kuptohen ndryshimet rituale midis vakëfeve islame dhe fondeve të krishtera, lexuesi nuk duhet të shkojë në ekstrem dhe të hedhë poshtë argumentet e paraqitura nga Gaudiosi dhe Cattan. Provat e sjella nga këta dy autorë, se sistemi i vakëfeve islame ka shërbyer si model për trustet angleze, janë të forta dhe të besueshme. Një analizë e Statuteve të vitit 1264 të Kolegjit Merton në Oksford, e ofruar nga Gaudiosi, e përforcon më tej këtë argument.

Walter de Merton, themeluesi i Kolegjit Merton në Oksford, ishte një klerik anglez i shekullit XIII dhe një shërbyes shtetëror, i cili tri herë mbajti postin e Kancelarit të Anglisë. Dihet mirë se de Merton ishte ngushtësisht i lidhur me “New Temple”, selinë angleze të Kalorësve Templarë, të cilët kishin kontakte të rëndësishme me Lindjen e Mesme dhe veçanërisht me Jerusalemin. Gjatë mandatit të tij të fundit si kancelar, ai kishte një pushtet të jashtëzakonshëm dhe përshkruhej si “praktikisht regjent i Mbretërisë”, ndërkohë që Eduardi I ndodhej në Kryqëzatë në Tokën e Shenjtë. Pa dyshim, pozita e tij e lartë do ta kishte përfshirë në marrëdhëniet mes Lindjes së Mesme dhe Anglisë, sidomos gjatë Kryqëzatave.

Kolegji i de Merton-it kaloi nëpër disa faza para se të arrinte statusin e tij si një moment historik në zhvillimin e kolegjeve universitare (Makdisi, 1984). I shqetësuar për sigurimin e një arsimi universitar për nipërit e tij, de Merton në vitin 1262 mori një leje për të dhuruar disa prona për mbështetjen e studentëve universitarë. Dy vjet më vonë, në 1264, u regjistrua forma përfundimtare e statuteve të Kolegjit Merton.

Në hyrjen e statuteve, de Merton përcaktoi një qëllim bamirës për trustin e tij dhe caktoi prona për mbështetjen e këtij objektivi. Siç dihet, kjo procedurë është një kusht i domosdoshëm për çdo vakëf klasik islam. Kushti i parë i trustit ishte që çdo anëtar i familjes së themeluesit duhej të mbështetej nga trusti në këmbim të një shërbimi të përshtatshëm. Edhe kjo është një dispozitë e miratuar nga ligji islam. Duke qenë se fokusi i fondacionit të de Merton ishte krijimi i një kolegji, ai do të përkonte me vakëfin bamirës (vakëf hajri). Për më tepër, caktimi i disa anëtarëve të familjes si përfitues do të përputhej me traditat e Profetit të Islamit.

Gaudiosi sjell një sërë provash të tjera, duke përfshirë rregulloret për shpenzimet, dispozitat që lejonin përfituesit të caktonin një mbikëqyrës për të shqyrtuar llogaritë e administratorit të trustit dhe arrin në përfundimin se “struktura e Kolegjit Merton përmbush një numër kushtesh të nevojshme për themelimin e një vakëfi islam dhe nuk shkel asnjë nga dispozitat e ligjit islam për vakëfin.”

Përfundimi i saj është mbresëlënës:

“Nëse dokumentet e Merton-it do të ishin shkruar në arabisht dhe jo në latinisht, statutet me siguri do të pranoheshin si një akt vakëfi.”

Duke marrë parasysh të gjitha argumentet e mësipërme, mund të arrijmë në përfundimin se origjina e trusteve angleze mund të gjurmohet pothuajse me siguri te sistemi i vakëfeve islamë. Një fakt domethënës është se në mes të shekullit XIII, dy kolegje të tjera në Oksford u themeluan gjithashtu si truste bamirëse (Arjomand, 1998: 115).

Nëse, megjithatë, një vend i largët si Anglia ishte ndikuar kaq shumë nga vakëfet, është më se logjike të argumentohet se bota e krishterë e Mesdheut, shumë më pranë botës islame, duhet të ketë qenë e ndikuar edhe më tepër. Këtë e konfirmon Gilbert, i cili ka treguar se Collège des Dix-Huit, themeluar në Paris nga John of London në vitin 1180, ishte fuqishëm i ndikuar nga medresetë vakëfe që ai kishte parë në Jerusalem (Arjomand, 1988: 114-115). Një tjetër provë vjen nga Santiago de los Españoles, një fondacion i themeluar nga Kurora e Kastiljes në Romë për mbështetjen e pelegrinëve spanjollë, i cili duket se kishte një strukturë identike me një vakëf islam. Ndryshimi i vetëm madhor midis këtyre dy institucioneve ishte se fondacioni spanjoll përdorte fitimet e tij vjetore për të blerë bono publike me interes (lugares de monte), ndërsa një vakëf islam zakonisht do të riinvestonte fitimet e tij për të zgjeruar kapitalin (Gozalo, 1998). Ky dallim, padyshim, lidhet me ndalimin e rreptë të kamatës në botën islame.

Duke pasur një origjinë të përbashkët, të dy institucionet, natyrisht, janë mjaft të ngjashme në strukturën e tyre bazë. Pas rreth tetë shekujsh, kjo ngjashmëri vazhdon të reflektohet në praktikën e përditshme dhe, në rrethana të veçanta, është shfrytëzuar me sukses nga minoritetet muslimane. Ky është rasti i muslimanëve që jetojnë në kultura kryesisht të krishtera, ku nuk ekziston një ligj për vakëfet. Për shembull, në Afrikën e Jugut, muslimanët kanë themeluar vakëfet e tyre sipas Ligjit për Trustet të Afrikës së Jugut. Qindra xhami dhe medrese të ndërtuara në të gjithë vendin menaxhohen sipas këtij ligji, i cili është afërsia më e madhe me ligjin islam të vakëfeve. Shoqata e Kontabilistëve dhe Juristëve për Ligjin Islam (AMAL) ka identifikuar ngjashmëritë dhe dallimet midis trustit jugafrikan dhe vakëfit islam (Proceedings of the Seminar on Management and Development of Awqaf Properties):

Vakëf Trust
Zakonisht bamirësi dhe ka motiv fetar Nuk kërkohet motiv fetar
Themeluesi mund të jetë përfitues (vetëm sipas ligjit hanefi) Themeluesi mund të jetë përfitues
Qëllimi përfundimtar duhet të jetë në dobi të njerëzimit Çdo objektiv i ligjshëm është i pranueshëm
Prona i takon Allahut Prona i takon administratorit të trustit
Myteveliu është vetëm një menaxhues Administratori ka më shumë pushtet
I përjetshëm, nuk mund të ndërpritet në asnjë rrethanë Nuk është i detyrueshëm të jetë i përhershëm, mund të ndërpritet sipas kushteve të përcaktuara në aktin e trustit
I pakthyeshëm I kthyeshëm
Korpusi është i paprekshëm Korpusi është i paprekshëm
Përdorimi i pasurisë është në shërbim të njerëzimit Përdorimi i pasurisë bëhet sipas qëllimit të përcaktuar në aktin e trustit

 

Krahasimi i AMAL na jep përshtypjen se trusti duket të ketë evoluar në një strukturë më fleksibël se vakëfi. Por, ky argument duhet të merret me kujdes, pasi ne jemi të mendimit se vakëfi islam ka evoluar gjithashtu në të njëjtin drejtim, dhe, për rrjedhojë, dallimet e shprehura nga AMAL janë tepruar. Dëshmi mbështetëse do të paraqiten në shkrimet e radhës.

Artikulli paraprakThemeluesit e vakëfeve
Artikulli tjetërDhjetë kushtet e vakëfit