Ekonomistët mysliman kanë vërejtur një sërë karakteristikash të sjelljes të cilat janë specifike për individët mysliman. Këto janë:
- Agjentët ekonomikë kujdesen për të tjerët dhe i’u shërbejnë objektivave shoqërore në të gjitha aktivitetet ekonomike si konsumimi dhe kursimi, investimi dhe prodhimi, punësimi dhe puna.
- Objektivat shoqërore të njohura dhe të mbështetura nga agjentët ekonomikë janë: (a) përmbushja e nevojave bazë për të gjithë njerëzit, (b) balanci dhe drejtësia në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, (c) stabiliteti dhe (d) zhvillimi ekonomik.
- Agjentët ekonomikë motivohen nga interesi vetjak dhe përfitimi personal brenda kornizës së objektivave shoqërore dhe kujdesit për të tjerët.
- Individët ushtrojnë modesti në konsum dhe shmangin shpërdorimin dhe jetën luksoze.
- Individët priren drejt bashkëpunimit dhe konsultimit të ndërsjellë me qëllim realizimin e objektivave shoqërore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në marrëdhëniet midis punës dhe menaxhimit, konsumatorit dhe prodhuesit, si dhe qeverisë dhe biznesit.
- Vendimi i një individi që fiton të ardhura për të kursyer është i lidhur ngushtë me vendimin e tij për të investuar.
Ekonomistët mysliman kanë identifikuar gjithashtu rregullime institucionale unike për sistemin islam. Këto janë:
- Zëvendësimi i interesit me ndarjen e fitimit. (Një nga pasojat e këtij largimi nga sistemi kapitalist është se shpërblimi për investimin financiar përcaktohet në tregun real dhe jo në tregun monetar.)
- Krijimi i parasë përmes një procesi investimi (dhe jo përmes një procesi huadhënieje, si në një sistem kapitalist), duke vendosur një lidhje të fortë midis zgjerimit të furnizimit me para dhe zgjerimit të prodhimit.
- Institucionet shoqërore, veçanërisht shteti, luajnë një rol aktiv në procesin ekonomik për të siguruar realizimin e objektivave shoqërore.
- Zekati shërben si një instrument efektiv për transferimin e disa burimeve nga të pasurit tek të varfërit, duke kontribuar në realizimin e objektivave shoqërore.
- Një nivel minimal i të ardhurave garantohet për të gjithë anëtarët e shoqërisë, të cilët megjithatë priten të punojnë për të, aq sa janë të aftë.
Cili është burimi i kësaj dijeje? A i kanë zbuluar ekonomistët mysliman këto modele sjelljeje dhe rregullime institucionale përmes studimeve empirike? Jo. Ata i kanë zbuluar këto karakteristika në shoqërinë islame ashtu siç është parashikuar nga Kurani dhe Suneti. Burimi i dijes së tyre është, para së gjithash, ideor dhe jo empirik. Është përshkrimi dhe përceptimi islam për jetën e mirë. Ekziston gjithashtu një burim dytësor, ai i historisë islame, veçanërisht në periudhën e saj autentike, domethënë në dyzet vitet e para. Historia e kësaj periudhe të hershme të Islamit konfirmon këto gjetje. Edhe pse periudhat e mëvonshme kanë luhatje, ato gjithashtu konfirmojnë prirjet afatgjata. Shoqëritë bashkëkohore muslimane nuk bëjnë përjashtim. Pavarësisht ndikimit të fortë të materializmit, është më e dobishme të kuptohen sjellja dhe institucionet ekonomike të muslimanëve bashkëkohorë si shmangie nga këto norma sesa si shprehje të ekonomisë konvencionale. Edhe pse disa nga rregullimet institucionale ekzistuese në shoqëritë myslimane janë shumë të ndryshme nga ato të periudhës së hershme të Islamit, kjo e fundit mbetet pika e duhur e referimit për një popull që synon të islamizohet.