Për shekuj me radhë, njerëz të shumtë kanë shkuar në qytetin Fez të Marokut në kërkim të njohurive nga librat e ruajtura në bibliotekën antike të Al-Qarawiyyin, por sidomos në universitetin që gjendet krah bibliotekës, që është po ashtu më i vjetri në botë. Institucioni është vetëm 30 vjet më i ri se vetë qyteti Fez. Universiteti më i vjetër në botë, Al-Qarawiyyin, sipas Rekordeve Guiness, u hap në vitin 859 pas Krishtit.
Fillimisht u ndërtua një bibliotekë, mandej një xhami dhe universiteti, nën kujdesin e Fatima al-Fihri, e bija e një tregtari tunizian shumë të pasur, pas vdekjes së të cilit, të gjithë trashëgiminë e tij, Fatima vendosi ta përdorë në funksion të arsimit dhe kulturës. Kështu Fatima al-Fihri njihet zyrtarisht për themelimin e universitetit dhe bibliotekës më të vjetër në botë. Nga historianët, për jetën e saj dihet pak, data e lindjes dhe vdekjes po ashtu nuk dihet saktë, por dëshmohet fakti se ajo njihej edhe përtej Marokut, për bamirësitë dhe ndihmesën që u dha shumë studentëve, qoftë djem dhe vajza, për t’u arsimuar.
Universiteti i Al-Qarawyyin konsiderohet universiteti më i lashtë në botë që ende funksionon, duke paraprirë universitetet e para evropiane. Këtë faktojnë UNESCO dhe Rekordet Botërore Guinness, të cilët thonë se universiteti u themelua fillimisht si një xhami, por që mirëpriste nxënës për të mësuar shkrim e lexim. Në këtë kuptim, ajo i paraprin Universitetit të Bolonjës (themeluar në vitin 1088 Pas Krishtit), për më shumë se dy shekuj.
Të diplomuarit në këtë universitet kanë qenë të shumtë; si poetë, astronomë, mjekë, historianë nga e gjithë bota, si dhe një numër i madh personalitetesh, ndër to edhe Papa Silvester II. Ende dhe sot universiteti ruan mënyrat e tij tradicionale të mësimdhënies, duke i ulur studentët në një gjysmërrethi, të quajtur “halqa”, rreth mësuesit./A2/