Udhëheqësit e G-20 bien dakord që t’i japin fund financimit për qymyrin

Udhëheqësit e G-20 ranë dakord në fund të takimit të tyre në Romë që të punojnë për të arritur një nivel neutral karboni “deri në mes të shekullit” dhe premtuan t’i japin fund financimit për uzinat e qymyrit nëvendet e tjera deri në fund të këtij viti.

Komunikata përfundimtare u lëshua të dielën në fund të bisedimeve dy-ditore të nivelit të lartë, përpara takimit më të gjerë të OKB-së për ndryshimet klimatike, COP26, që mbahet këtë javë në Glasgow të Skocisë.

Udhëheqësit e mbledhur në Romë folën për përpjekjet për të arritur objektivin e kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius, në përputhje me një angazhim global të bërë në vitin 2015 në Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Grupi prej 19 vendesh dhe Bashkimit Evropian çlirojnë më shumë se tre të katërtat e gazeve që shkaktojnë efektin serrë në botë.

Megjithatë qymyri, mbetet një temë e madhe mosmarrëveshjeje. Anëtarët e G-20-ës, Kina dhe India i kanë rezistuar përpjekjeve për të dalë me një deklaratë për eliminin gradual të konsumit vendas të qymyrit.

Po të dielën, SHBA dhe BE njoftuan se po u jepet fund tarifave për çelikun e BE-së të vendosura nga administrata Trump, duke zgjidhur një mosmarrëveshje në të cilën BE-ja si kundërpërgjigje vendosi tarifa ndaj produkteve amerikane, përfshirë për uiskin dhe anijet.

“Së bashku Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po hyjnë në një epokë të re të bashkëpunimit transatlantik nga e cila do të përfitojnë të gjithë, sot dhe në vitet në vijim,” u tha zoti Biden gazetarëve. /voa/

Artikulli paraprakOpinion: Grindja për ndërrimin e orës në BE
Artikulli tjetërFalimentoi gjatë pandemisë/ “Hertz” do të blejë 100 mijë Tesla për t’u rimëkëmbur