The Economist: “A do t’i rikthehet normalitetit ekonomia botërore në vitin 2022?”

A do të zgjasin forcat stagflacioniste që veprojnë në ekonominë botërore? Gjatë gjithë vitit 2021, bankat qendrore dhe shumica e ekonomistëve kanë thënë se faktorët që shkaktojnë rritjen e inflacionit dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike, do të jenë të përkohshëm.

Sipas tyre, pengesat dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit do të zhdukeshin, çmimet e energjisë do të uleshin dhe punëtorët e vendeve të pasura do të riktheheshin në punë. E megjithatë, publiku dhe madje edhe vetë bankierët qendrorë, kanë filluar të humbasin besimin.

Dilema me të cilën përballen politikëbërësit është akute. Përgjigjja e zakonshme ndaj inflacionit të shkaktuar nga ndërprerjet e furnizimit është që ai të shpërfillet derisa të kalojë vetë. Pse të dëmtohen ekonomitë me norma interesi më të larta, të cilat në fund të fundit, nuk do të zhbllokojnë portet, nuk do të krijojnë furnizime të reja me gaz natyror dhe nuk do t’i japin fund pandemisë?

Në vitin 2011, inflacioni në Britani u rrit në nivelin 5.2% si rezultat i rritjes së çmimeve të mallrave, por Banka e Anglisë i mbajti normat e interesit të ulëta. Në Eurozonë, Banka Qendrore Europiane i rriti normat, duke shkaktuar kthimin e ekonomisë në recesion dhe shumë shpejt inflacioni u ul nën objektivin e bankës.

Ashtu si në atë kohë, edhe në vitin 2022, inflacioni i nxitur nga çmimet e larta të energjisë ka të ngjarë të ulet. (Inflacioni është shkalla e ndryshimit të çmimeve, që do të thotë se, edhe nëse çmimet nuk kthehen në nivelet e mëparshme, mjafton që të mos rriten aq shpejt.)

Megjithatë, krahasimi me fillimin e viteve 2010, është i pasaktë. Vështirësitë e tregtisë globale në vitin 2021, nuk janë shkaktuar vetëm nga ndërprerjet e furnizimit, siç ishte mbyllja e fabrikave vietnameze për shkak të Covid-19. Ka pasur edhe kërkesë shtesë. Stimuli masiv fiskal dhe monetar, i kombinuar me distancimin social, i nxiti konsumatorët të konsumonin më tepër mallra, nga lojërat elektronike deri te këpucët e tenisit.

Në verën e vitit 2021, shpenzimet e amerikanëve për mallra fizike ishin 7% më të larta se prirja para pandemisë. Edhe në vende të tjera, ka mungesë mallrash dhe një kërkesë jashtëzakonisht të lartë për to. Që ekonomia botërore të kthehet në normalitet, konsumatorët duhet të shpenzojnë më shumë për shërbime, si restorante dhe udhëtime.

Fatkeqësisht, ekonomitë po vuajnë edhe nga mungesa e punëtorëve të nevojshëm në këto industri. Pagat në sektorin e hotelerisë janë në rritje. Shumë ekonomistë shpresonin se punëtorët do të riktheheshin në punë pasi skaduan programet e ndihmës emergjente, si skemat e financimit dhe sigurimet e papunësisë. Deri tani, çuditërisht ka pak shenja se kjo të ndodhë. Që inflacioni të jetë i përkohshëm, rritja e pagave dhe e çmimeve duhet të bien. Alternativat janë një rritje e pamundur në produktivitet, ose marzhe më të ulëta fitimi, të cilat për biznese si restorantet, janë tashmë të pakta.

Disa politikëbërës monetarë kanë filluar të kenë frikë nga e kundërta: rritja e pagave ndërkohë që punëtorët presin inflacion më të lartë. Bota e pasur nuk ka përjetuar një spirale të rritjes së çmimeve dhe pagave që nga vitet 1970 dhe disa ekspertë argumentojnë se në ekonomitë ku nuk ka shumë sindikata, punëtorët nuk kanë gjasa të negociojnë për paga më të larta. Por nëse përmbushen pritshmëritë për rritjen e inflacionit, puna e bankave qendrore do të vështirësohej papritmas.

Ato nuk do të ishin në gjendje të mbanin inflacionin brenda objektivave pa sakrifikuar vendet e punës. Tregjet në zhvillim janë mësuar me këtë shkëmbim të dhimbshëm midis rritjes dhe inflacionit, por kjo nuk është përjetuar në vendet e pasura prej dekadash. Në vendet e mëdha të pasura, Banka e Anglisë është më afër shtrëngimit – thjesht për të ruajtur besueshmërinë e objektivit të saj të inflacionit, jo sepse e kërkojnë kushtet themelore ekonomike.

Bankierët qendrorë në krizë

Është e lehtë të imagjinohet se politikëbërësit monetarë do të rrisin normat e interesit dhe do të pendohen më pas për këtë. Megjithëse inflacioni do të mbetet i lartë në muajt e parë të vitit 2022, bankierët qendrorë zakonisht mendojnë se duhet një vit e gjysmë që normat më të larta të interesit të kenë efektin e tyre të plotë në ekonomi.

Forcat që më parë mbanin normat e interesit dhe inflacionin të ulët – ndryshimi demografik, pabarazia dhe kërkesa e shfrenuar globale për asete të sigurta – mund të rishfaqen në të ardhmen.

Shtrëngimi i menjëhershëm fiskal, në shumë vende, do të ndihmojë në qetësimin e ekonomive: Britania ka njoftuar rritje të mëdha të taksave dhe presidenti Joe Biden po has qëndresë nga Kongresi në miratimin e propozimeve me shpenzime të mëdha. Dhe rritja më e ngadaltë në Kinë, e cila po vuan nga një ngadalësim i tregut të pronave, mund të përhapet dhe të bëhet globale.

Mbi të gjitha, duhet theksuar se pandemia nuk ka mbaruar. Përhapja e virusit ende mund të dëmtojë ekonomitë nëse imuniteti zbehet dhe variantet e reja shmangin vaksinat. Por në një kohë kur zinxhirët e furnizimit janë në limitet e tyre, bota nuk mund të përsërisë mashtrimin e rritjes ekonomike, duke përdorur stimuj që zhvendosin shpenzimet e konsumatorit drejt mallrave.

Në vend të kësaj, bankat qendrore duhet të përpiqen të frenojnë shpenzimet nëpërmjet normave më të larta, për të shmangur inflacionin e tepruar, ndërkohë që oferta përshtatet me prirjet e reja të shpenzimeve dhe të punës, që janë shumë të ndryshme nga vitet 2010. Nëse normaliteti nuk kthehet në vitin 2022, alternativa është një ndryshim i dhimbshëm ekonomik.

Artikulli paraprakKazakistani: njerëz të varfër në një vend të pasur
Artikulli tjetërBE: Muslimanët belgë çojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndalimin e therrjes hallall.