Tammie Umbel, muslimane e përkushtuar, milionere dhe nënë e 14 fëmijëve

Ajo që nisi si një dëshirë e thjeshtë për të qenë në gjendje të siguronte të ardhura për fëmijët e saj, është shndërruar në një biznes prej shumë miliona dollarësh për Tammie Umbel në Dallas të Virxhinias. Ajo jo vetëm që drejton një kompani kozmetike, por mëson në shtëpi 14 fëmijët e saj – dhe thotë se ende gjen kohë për veten.

Përmbajtja e këtyre kavanozëve mund të duket e parëndësishme, por për Tammie Umbelin ato janë me vlerë të madhe. Më saktë, ato e kanë ndihmuar të fitojë miliona dollarë.
Me vizionin e saj, Umbeli punoi shumë dhe gjeti kohë për të studiuar. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2010, ajo fitoi 1 milionëshin e parë.

Por, ndryshe nga milionerët e tjerë, Umbelit i duhej të rriste edhe fëmijët e saj të shumtë.

“Deri atëherë kisha tetë fëmijë, burri im kishte mbaruar studimet për mjekësi, dhe më në fund filloi të punonte si mjek. Isha më e shqetësuar për të ardhmen nëse diçka i ndodhte atij. Duhet të gjeja një mënyrë për të ushqyer fëmijët.”

Umbel, e cila u rrit në periferi të Uashingtonit, mendoi se mënyra për ta bërë këtë ishte të fillonte biznesin e vet. I kërkoi 1.500 dollarë të shoqit dhe mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën – do të prodhonte produkte grimi me përbërje organike, duke i importuar nga Afrika.
“Kur isha 15 vjeç, u bëra myslimane dhe rrija shpesh në Rrugën e Ambasadave në DC. Aty ka një Qendër Islame ku vijnë njerëz nga e gjithë bota. Secila nga gratë aty kishin rutinën e saj të veçantë të bukurisë natyrore. U mahnita nga rutina e tyre e grimit.”

Umbeli iu afrua grave dhe i pyeti se cili ishte sekreti i tyre i bukurisë – aty dëgjoi për gjalpin e një peme afrikane të quajtur shea. Vite më vonë, ajo kujtoi përbërësin, i cili është i lirë në Afrikë dhe vendosi ta sillte atë në Shtetet e Bashkuara. Sa herë që shkonte në udhëtime për biznesin e saj të ri, ajo gjithmonë i merrte fëmijët me vete.
“Nëse shkoja në Marok, ata vinin me mua. Nëse shkoja në Egjipt, ata përsëri i kisha me vete”.

Shumë shpejt ajo do të kthehej nga Afrika me përbërës të tjerë, dhe atë pak kohë të lirë që kishte, filloi të lexonte libra kimie e botanike, dhe eksperimentonte me receta të ndryshme. Tani ajo shet më shumë se 300 produkte organike grimi.
“Janë esenca që i kam mbledhur nga pjesë të ndryshme të Afrikës”.

Ndërsa filloi dhe rriti biznesin e saj, “Shea Terra Organics”, Umbel ishte mësuese në shtëpi për 14 fëmijët e saj, të cilët janë nga mosha 5 deri në 27 vjeç. Gjashtë fëmijët e saj më të rritur janë tani në kolegj dhe më të vegjlit studiojnë dhe ndihmojnë me punët e shtëpisë. Ata thonë se një ditë duan të jenë aq të suksesshëm sa nëna e tyre.
Dhe kjo është ajo që synon nëna dhe biznesmenia 45-vjeçare – përsosje, jo më pak se aq. /voa/

Artikulli paraprakMusk përfundon blerjen e Twitterit për 44 miliardë dollarë, menjëherë shkarkon drejtuesit kryesorë
Artikulli tjetërKËSHILLA FETARE PËR RRITJEN E SIGURISË NË TRAFIK

Comments are closed.