Harrimi i fjalëkalimit për të hyrë në email-in e Google është në krye të klasifikimit, me rreth 455 mijë kërkime se si ta ndryshoni atë. Në top 10, edhe Facebook dhe Amazon. Këshillat e Reboot Online “për të ndihmuar kujtesën”
Harrimi i fjalëkalimit në account-et online nuk është aspak i rrallë me morinë e shërbimeve aktive për pjesën më të madhe të përdoruesve të internetit. Account-et / aplikacionet ku kjo gjë ndodh më shpesh janë posta e Google, Gmail, të dhënat për shërbimet Apple (Apple Id) dhe ato për të hyrë në rrjetin social të fotove Instagram.
Këtë e zbulon një kërkim i agjencisë së marketingut dixhital, Reboot Online Marketing, në Mbretërinë e Bashkuar. Kompania përdori instrumentin e analizave Ahrefs për të vlerësuar kërkimet në internet dhe për të përcaktuar se cilat janë account-et dhe aplikacionet ku përdoruesit harrojnë më shpesh fjalëkalimin.
Makthi i harrimit të fjalëkalimit për account-et më të përdorura
Gmail është account-i online të cilit njerëzit ia harrojnë më shpesh fjalëkalimin. Çdo muaj, në nivel global, bëhen 454.100 kërkime në internet me fjalët kyç “kam harruar fjalëkalimin e gmail”, ekuivalente me 14.648 kërkime në ditë. (Studimi Reboot Online analizoi përsëritjen e kërkimeve në lidhje me humbjen e një fjalëkalimi në gjuhët kryesore të botës).
Në vend të dytë renditet Apple ID, me 308.250 kërkime online në muaj, në rang global.
Instagram renditet i treti, me mesatarisht 118.000 kërkime online në muaj në rang global, të atyre që kërkojnë të kuptojnë se si të rikuperojnë fjalëkalimin.
Edhe Facebook dhe Amazon në Top 10
Në vend të katërt, Windows 10, sistemi operativ i Microsoft, me 86.300 kërkime online në muaj në rang global.
Facebook renditet i pesti (78.500 kërkime), Sony Playstation Network, në vend të shtatë (59.080 kërkime), Amazon, në vend të dhjetë (32.900 kërkime globale online).
Si të kujtoni lehtësisht fjalëkalimet
Reboot Online e mbyll studimin me një udhëzues që u vjen në ndihmë përdoruesve të shërbimeve online të kujtojnë fjalëkalimet. Këshilla e parë është përdorimi i shprehjeve që kanë kuptim për ju, të cilat vështirë se do t’i harroni. Edhe fjalët e një kënge që e pëlqeni mund të jenë një ide e mirë për fjalëkalim. Për të krijuar një fjalëkalim të vështirë, në të duhet të përfshini edhe numra dhe karaktere të veçantë.
Këshilla e dytë lidhet me numra dhe karaktere të veçantë, por edhe me shkronja. Ju mund të imagjinoni të krijoni një formë gjeometrike në tastierë që bashkon shkronja, numra dhe shenja, duke e shndërruar atë në fjalëkalimin tuaj – natyrisht, me kushtin që kjo formë të jetë e lehtë për t’u mbajtur mend.
Në fund mund të përdorni një instrument për menaxhimin e fjalëkalimeve apo password manager. Password manager ruajnë të dhënat në login në shërbime të ndryshme online në të cilat jeni regjistruar dhe ju lejojnë të hyni në account/aplikacione automatikisht.
Burimi: Corriere Comunicazioni