Buletini mujor i Statistikave Vitale, 2021
Agjencia e Statistikave të Kosovës fillon publikimin mujor të statistikave vitale me të dhëna administrative preliminare
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ju njofton se nga muaji janar 2021 ka filluar me publikimin e të dhënave preliminare[1] në baza mujore për Lindjet, Vdekjet dhe Kurorëzimet. Ky është publikimi i parë i këtij lloji dhe bazohet në të dhëna administrative.
Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet dhe Kurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obliguar në regjistrat e lartë-cekur, në vendin e ngjarjes, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend, ose në ndonjë vend tjetër.
Të dhënat statistikore do të publikohen sipas parimit të vendbanimit të përhershëm/zakonshëm të të lindurve, personave të vdekur dhe çifteve të kurorëzuara, që sipas rregullave ndërkombëtare i përgjigjet koncepcionit të popullatës së përhershme (rezidente).
Përmes kësaj forme, do të krijohet mundësia e krahasimit të të dhënave bazë, duke u bazuar në të dhënat administrative, që është kërkesë dhe standard ndërkombëtar i rekomanduar. Vlerësohet se përmes këtij publikimi do të krijohen statistika të sakta, të besueshme dhe të shpejta.
ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1, Vdekjet DEM-2 dhe Kurorëzimet DEM-3, edhe gjatë këtij viti kalendarik, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet për çdo muaj, kontrollohen në mënyrë kuantitative dhe kualitative. Pas pastrimit të pyetësorëve statistikorë do të vazhdohet me procedimin (data entry), si dhe krijimin e bazës së të dhënave që do të shërbejë për t’i vlerësuar të dhënat administrative për këtë vit.
Raportet tremujore, po ashtu do ta kenë bazë në të dhënat administrative. Ndërkaq, raportet vjetore mbi Statistikat Vitale do të vazhdojnë të publikohen gjatë muajit qershor dhe korrik të vitit 2021.
Burimi i të dhënave është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës, gjegjësisht Zyrat e Gjendjeve Civile.
[1]Shfrytëzuesit e të dhënave rekomandohen që këto të dhëna të merren si të dhëna preliminare dhe jo si të dhëna përfundimtare