Një në tre biznese të vogla në të gjithë botën, janë detyruar të largojnë punëtorët nga puna gjatë muajit maj për t’i mbijetuar pandemisë COVID-19.
Kështu thuhet në sondazhin e realizuar nga Facebook në partneritet me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik si dhe Bankën Botërore, i cili tregon vështirësitë e ekonomisë botërore gjatë pandemisë, përcjell Telegrafi.
Rreth 26 për qind e bizneseve të vogla e të mesme, bëjnë të ditur se ishin mbyllur nga mes muajit janar dhe muajit maj 2020. Sondazhi mori përgjigjen e mbi 30 mijë drejtuesve të bizneseve të vogla nga 50 shtete.
Te bizneset që kanë qëndruar të hapura kur është zhvilluar sondazhi, thuajse dy e treta e tyre përmendën se kanë pasur ulje të shitjeve në 30 ditët e fundit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Për t’i bërë ballë “sfidës më të madhe në histori”, një e treta e bizneseve të vogla u përgjigjën se kanë reduktuar fuqinë punëtore.
“COVID-19 nuk është vetëm një emergjencë publike, por edhe një krizë ekonomike që po godet bizneset e vogla e të mesme”, thuhet në raport.
Bizneset e vogla dhe të mesme me një llogari biznesi në Facebook janë anketuar në serinë e parë të mbledhës së të dhënave në një periudhë gjashtë mujore, që synon të vlerësojë ndikimin e pandemisë COVID-19 te këto.
Anketa theksoi se sektorët që përqendrohen tek konsumatori janë goditur më rëndë. Rreth 54 për qind e agjencive të turizmit dhe 47 për qind e bizneseve të vogla që punojnë në mirëpritjen e turistëve dhe manaxhimin e ngjarjeve, bënë të ditur se ishin mbyllur në periudhën e sondazhit.
Bizneset e drejtuara nga gratë kishin më shumë gjasa të ishin mbyllur gjatë kohës së sondazhit, krahasuar me firmat e drejtuara nga burrat.