Si të kërkoni rritje page për shkak të inflacionit?

Inflacioni dhe pushimet nga puna janë gjërat që i preukupojnë njërëzit më së shumti këtë vit. Muajt e fundit inflacioni ka shkuar duke u rritur. Për më tepër, shumë kompani të mëdha në botë si Goldman Sachs, Amazon dhe Spotify kanë njoftuar pushime nga puna, duke i bërë disa punëtorë të frikësohen se kjo mund t’u ndodhë edhe atyre. Rritja e kostove të jetesës ka bërë që shumë njerëz të shqetësohen dhe të kërkojnë mënyra për të ulur shpenzimet dhe për të rritur të ardhurat e tyre.

Nga ana tjetër, njerëzit po marrin gjithashtu përgjegjësi më të madhe për karrierën e tyre se kurrë më parë. Ata e shohin nevojën për ta drejtuar karrierën e tyre aty ku mund të përfitojnë dhe ku mund të ndihen më të pavarur. Kjo përfshin kërkimin e gjërave që u nevojiten, të tilla si një rritje page për të kompensuar kostot në rritje për shkak të inflacionit. Por a mund të negocioni vërtet për një rritje page gjatë një klime të vështirë ekonomike? Përgjigja është po, ju vetëm se duhet ta bëni atë në mënyrën e duhur.

Si mund të kërkoj më shumë para në bazë të inflacionit?

Është e rëndësishme të bëni disa detyra para se të kërkoni një rritje page në bazë të inflacionit. Mos harroni se një rritje page bazuar në inflacion do të thotë të kërkoni një shumë që do të mbulojë shpenzimet tuaja bazë, jo për një rritje ekstravagante të pagës suaj.

Për të llogaritur sa para ju nevojiten, zbuloni se cila është norma e inflacionit në vendndodhjen tuaj aktuale. Cila është paga mesatare për pozicionin tuaj në zonën tuaj dhe si krahasohet paga juaj aktuale? Çfarë është rritur më shumë për ju gjatë inflacionit: sendet ushqimore, gazi, kujdesi për fëmijët, etj?

Ju gjithashtu mund të bëni një kërkim të shpejtë për pozitën tuaj të punës në vendin tuaj për të parë se çfarë është aktuale për sa i përket pagave dhe përfitimeve. Këtë mund ta bëni në platformën – Rroga, e cila është e para në Kosovë që ju ndihmon të krahasoni pagën tuaj. Kur bëheni gati për të kërkuar rritje page shkruani numrat, rritjet në përqindje dhe çdo gjë tjetër që lidhet me situatën tuaj.

Më pas, bazuar në hulumtimin tuaj, përcaktoni se sa para ju nevojiten për të kompensuar kostot në rritje. Kjo duhet të jetë kërkesa juaj minimale për rritje rroge. Kur negocioni, është në rregull t’i siguroni shefit tuaj një gamë pagash në vend të një numri specifik, thjesht mbani në mend se shefi juaj mund të përpiqet të negociojë për numrin më të ulët. Kjo do të thotë që numri më i ulët në intervalin që propozoni duhet të jetë kërkesa juaj minimale bazuar në llogaritjet tuaja. Mund të jetë e dobishme të krijoni një fletë referimi me kërkimin tuaj dhe përqindjet për t’ia paraqitur shefit tuaj.

Negocimi i kostos së jetesës

Kur jeni duke u përgatitur për të folur me shefin tuaj, përgatituni të negocioni për përfitime ose rregullime të tjera nëse ata nuk mund t’ju japin një rritje rroge tani. Për shembull, nëse nuk mund t’ju sigurojnë një rritje rroge tani, a mund t’ju japin një rritje rroge në tre deri në gjashtë muaj? A mund t’ju japin një bonus të hershëm? A mund të punoni në distancë ose në një pozitë hibride (disa ditë në zyre dhe disa ditë nga shtëpia) për të kompensuar shpenzimet tuaja të udhëtimit? Nëse kjo nuk është e mundur, a mund t’ju rimbursojnë për shpenzimet e udhëtimit dhe/ose të drekës? A mund të negocioni për përfitime të tilla si kujdesi për fëmijët ose mbulim më i mirë i sigurimit shëndetësor? Bëni një listë të gjërave për të cilat dëshironi të negocioni.

Gjithashtu do të jetë e dobishme t’i kryeni disa detyra paraprakisht dhe të hulumtoni se çfarë po bëjnë kompanitë e tjera në industrinë tuaj për inflacionin dhe çfarë përfitimesh ofrojnë. Ju gjithashtu mund të kontaktoni kolegë nga rrjeti juaj për të zbuluar se çfarë po ndodh në industrinë tuaj dhe idetë se çfarë të negocioni nëse rritja e pagës nuk është e mundur në këtë moment.

A duhet të kërkoj një rritje gjatë një recesioni?

Është në rregull të kërkoni një rritje gjatë një recesioni, veçanërisht nëse ka kaluar një kohë që kur iu është rritur paga. Thjesht jini të arsyeshëm në lidhje me kërkesën tuaj dhe merrni parasysh shëndetin financiar të organizatës dhe industrisë suaj përpara se ta bëni këtë.

Nëse ju duket sikur tani nuk është koha më e mirë, bëni një shënim në kalendarin tuaj për të kontrolluar gjendjen financiare të organizatës ku ju punoni. Dhe përsëri, merrni parasysh gjëra të tjera për të cilat mund të negocioni, të cilat mund të ndihmojnë në kompensimin e inflacionit, të tilla si koha e lirë, puna në distancë ose përfitime më të mira.

Derisa kërkesa për një rritje page mes inflacionit dhe pushimeve nga puna mund të jetë e vështirë, njerëzit ndihen sikur tash është tregu i punonjësve dhe ata janë më të sigurt për të kërkuar gjërat që duan sesa kanë qenë në të kaluarën. Për më tepër, pandemia COVID-19 dhe Dorëheqja e Madhe i bënë shumë punëdhënës më të ndjeshëm ndaj nevojave të punonjësve. Kjo do të thotë që punëdhënësi juaj mund të jetë më i hapur për negociata se kurrë më parë./ AkademiPune

Artikulli paraprakMORALI SI RRUGË SUKSESI
Artikulli tjetërEkonomia turke shënon rritje prej 5.9 për qind në tremujorin e tretë