Si po rëndon ekonomia botërore në mirëqenien financiare të njerëzve

Një kombinim faktorësh ka vënë në pah, nivele të reja të brishtësisë financiare, thonë ekspertët në Konferencën Arabe të Kursimeve Familjare 2022 (Arab Household Savings Conference 2022).

Pandemia e Covid-19, inflacioni i lartë, rritja e normave të interesit dhe konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës po dëmtojnë mirëqenien financiare të njerëzve në nivel global, thanë ekspertët duke folur në Konferencën Arabe të Kursimeve Familjare 2022.

Variablat e lartëcekura në mënyrë të kombinuar, kanë sjellë në plan të parë nivele të reja të brishtësisë financiare, tha Imane Benzarouel, zëvendësdrejtoresha ekzekutive e Fondacionit të Marokut për edukimin financiar, gjatë një paneli diskutimi në ngjarjen e organizuar nga FinTech Robos në Bahrein të martën.

“Ka nevojë për aftësim financiar, për të ndihmuar në arritjen e qëndrueshmërisë financiare,” shtoi ajo.

Ndërkohë, rritja e normave të interesit dhe inflacioni i lartë kanë filluar të ndihen në rajonin e Lindjes së Mesme, tha në një panel të veçantë Ramzi Khleif, i cili është menaxher i përgjithshëm në kompaninë pë rmenaxhimin e pasurisë dixhitale StashAway Mena.

“Inflacioni është diçka reale dhe unë mendoj se një njeri mesatar ka filluar ta shohë atë prezente kudo”, tha zotëriu Khleif.

“Ju tashmë po shihni një rritje në koston e pothuajse të çdo gjëje ndërkohë që të ardhurat e familjeve nuk po vazhdojnë të rriten.”

Epoka e pandemisë Covid-19 me norma të interesit gati zero, dhe stimujt fiskal dhe monetarë morrën fund në fillim të këtij muaji, me rritjen e inflacionit që detyroi Rezervën Federale të SHBA-së të shtrëngonte politikat e saj monetare dhe të rriste normën bazë të interesit me 0.25 për qind.

Bankat qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Bahreinit dhe Kuvajtit gjithashtu rritën normat e tyre bazë të interesit në përputhje me SHBA-në. Shumica e bankave qendrore të GCC (Gulf Cooperation Council), Këshilli i Bashkëpunimit të vendeve të Gjirit, ndjekin lëvizjet e Fed-it për normat bazë të interesit për shkak të lidhjes së valutës së tyre, me dollarin amerikan, me përjashtim të Kuvajtit, dinari i të cilit është i lidhur me një grupë valutash.

Rritja e normës së interesit nga Fed,e cila ishte afër nivelit zero, vjen në mes të një perspektive të pasigurt ekonomike globale të nxitur nga inflacioni rekord dhe sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës që ka prekur tregjet e mallrave.

Normat më të larta nënkuptojnë se një sërë produktesh të financave personale – nga kreditë tek kartat e kreditit, hipotekat, kursimet dhe remitancat – do të bëhen më të kushtueshme dhe do të ndikojnë në pagesat mujore të borxhit të konsumatorëve.

Megjithatë, inflacioni mund të bjerë vitin e ardhshëm pasi kriza e zinxhirit të furnizimit fillon të lehtësohet, tha Anthony Scaramucci, themeluesi i fondit mbrojtës amerikan Skybridge.

“Konsensusi i përgjithshëm tani është se ne do të kemi inflacion sistemik, në shkallë të gjerë,” tha Scaramucci në një panel në konferencë, i cili shërbeu në një mandat 11-ditor si Drejtor i Komunikimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump. “Por unë mendoj se kjo bie ndesh me një trend 30-vjeçar të forcave të mëdha deflacioniste të cilat po ndikojnë në botë, si rezultat i teknologjisë.

“Unë mendoj se zinxhiri i furnizimit, brenda vitit të ardhshëm, do të rregullohet … dhe parashikoj se do të ketë një rënie më të madhe se sa pritej në të dhënat e inflacionit, gjë që do të lehtësojë pak komunitetin bankar qendror.”

Megjithatë, efekti monetar në buxhetet e familjeve do të thotë se ngritja e aftësive të edukimit financiar, të tilla si buxhetimi dhe formimi i një fondi emergjence, janë tejet të rëndësishme për t’u mbrojtur nga rritja e çmimeve, humbja e vendeve të punës, ulja e pagave ose tronditja financiare, thanë panelistët.

“Edukimi financiar është një temë shumë e rëndësishme për t’u lënë anash nga palët e interesuara siç janë qeveritë, organizatat ndërkombëtare, sektori privat dhe shoqëria më gjerë,” tha Elena Miteva, një ekonomiste e lartë në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

“Përmbajtja e edukimit financiar duhet të jetë e personalizuar, e fokusuar dhe e lehtë për t’u kuptuar, me qëllim për të iu ndihmuar njerëzve të ndërmarrin veprime, të tilla si përkushtimi ndaj një plani kursimi ose investimi”, shtoi ajo.

“Është gjithashtu e rëndësishme të kombinohet njohuria financiare, me përvojën në tregjet financiare dhe në investime”, tha William Tohme, kreu i lartë rajonal i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Institutin CFAI.

“Arsimimi financiar është një mjet i menaxhimit të rrezikut për një familje në mënyrë që të vazhdojë me planifikimin financiar ose të vendosë për kursime në tregun financiar. Gjithashtu arsimimi financiar ju ndihmon që të keni bashkëbisedim përmbajtësor me këshilltarin tuaj financiar”, tha ai.

“Punëtorët e huaj në GCC (Këshillin për Bashkëpunim të vendeve të Gjirit) duhet gjithashtu të ndërtojnë një plan investimi që do t’i ndihmojë ata të kompensojnë mungesën e pensioneve të paguara nga shteti gjatë daljes së tyre në pension”, shtoi William Tohme.

“Edhe pse vendasit kanë një plan pensioni të financuar nga sektori publik, ai mund të mos jetë i mjaftueshëm sepse ne kemi jetëgjatësi më të lartë dhe priremi t’i jetojmë më shumë sesa kursimet tona. Ata duhet të kenë një pension privat, i cili shërben si një burim shtesë i të ardhurave, për të mbajtur veten financiarisht gjatë pleqërisë,” shtoi ai. /thenationalnews/

Përktheu: EKONOMIA ISLAME

Artikulli paraprakIdetë kryesore nga libri “The Life, Lessons and Rules for Success ”- Elon Musk / PJESA E DYTË
Artikulli tjetërHalal Expo Albania 2022 dhe marketimi i logos hallall