Shpyllëzimi i Amazonës në Brazil bie me 31 për qind

Këtë javë, Qeveria e Brazilit nisi edicionin më të fundit të Planit për Parandalimin dhe Luftimin e Shpyllëzimit në Amazon

Shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil u reduktua me 31 për qind nga janari në maj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar për Kërkimet Hapësinore (INPE), raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të sistemit satelitor DETER, i cili mat nivelin e mbulimit të pyjeve në pyjet tropikale të Amazonës, në pesë muajt e parë të këtij viti, kishte 1.986 kilometra katrorë sipërfaqe të shpyllëzuar krahasuar me 2.867 kilometra katrorë midis janarit dhe majit 2022.

Këtë javë, Qeveria e Brazilit nisi edicionin më të fundit të Planit për Parandalimin dhe Luftimin e Shpyllëzimit në Amazon (PPCDAm).

Plani, i cili përcakton 130 objektiva që duhet të arrihen deri në vitin 2027, përshkruan një sërë veprimesh që duhen ndërmarrë për të ruajtur Amazonën, duke përfshirë embargon e shpyllëzimit, vendosjen e gjobave, punësim shtesë të stafit, rritjen e inspektimeve në terren dhe rregullimin e pronësisë së tokës.

Banka Botërore në maj publikoi një raport në të cilin nënvizoi nevojën që qeveria braziliane të mbështesë një model zhvillimi ekonomik që bazohet në ruajtjen e pyjeve dhe rritjen e standardit të jetesës.

Raporti thotë se ruajtja e Amazonës kushton deri në 317 miliardë dollarë në vit. Gjatë përcaktimit të kësaj vlere, banka ka marrë parasysh gjithçka që pylli mund të ofrojë.

/aa/

Artikulli paraprakBritania do të organizojë samitin e parë global për sigurinë e inteligjencës artificiale
Artikulli tjetër7 mendësitë që ju duhen për të arritur suksesin