Pritshmëritë e vitit 2020 paraqesin shifrat më të ulëta të shitjes së makinave që nga viti 2013, thonë nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA)
Për shkak të krizës së madhe ekonomike që buron nga koronavirusi i ri (COVID-19), tregu evropian i automjeteve do të pësojë një tkurrje prej 25 për qind në vitin 2020, njoftoi të martën Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), raporton Anadolu Agency (AA).
Shitjet e makinave në bllokun prej 27 anëtarësh pritet të bien me 3 milionë njësi, nga 12.8 milionë në 2019 në 9.6 milionë në vitin 2020, thekson ACEA.
Shoqata rikujtoi se “pas valëve të para të goditjes së krizës midis mesit të marsit dhe majit, tregu i BE-së është tkurrur me 41.5 për qind deri më tani këtë vit”.
“Kjo situatë pritet të lehtësohet në një farë mase në muajt e ardhshëm pasi masat e bllokimit dhe kufizimit të hiqen në të gjithë rajonin”, shtohet më tej.
Pritshmëria e vitit 2020 paraqet shifrat më të ulëta të shitjeve të makinave që nga viti 2013.
Industria e automobilave ka të punësuar 13.8 milionë evropianë, në mënyrë direkte dhe indirekte, e cila përbën 6.1 për qind të të gjitha vendeve të punës në BE.
Koronavirusi i ri, i cili për herë të parë u shfaq në Kinë dhjetorin e kaluar, është përhapur në të gjithë botën dhe u kthye në pandemi.
Masat për frenimin e virusit, të tilla si bllokimet dhe mbylljet e kufijve, ndikuan thellësisht në aktivitetet ekonomike, veçanërisht në BE dhe SHBA. /AA/