Pyetje: Nëse shet një produkt dhe vetëm pas shitjes e kupton se ka pasur një defekt të vogël, por nuk e mban mend kush ishte blerësi, a duhet ta japësh të gjithë shumën e parave në lëmoshë?
Përgjigje: Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është robi dhe i Dërguari i Tij.
Shitësi është i obliguar të sqarojë çdo mangësi në mall para se ta shesë. Nëse dikush shet një send dhe fsheh mangësinë e tij, ai ka bërë gjynah, por shitja mbetet e vlefshme. Transmetohet nga ‘Ukbe ibn Amir (رَضِيَ اللهُ عَنْهُ) se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit dhe nuk i lejohet një muslimani t’ia shesë vëllait të tij diçka që ka mangësi, pa ia treguar atë.”
— Transmeton Ahmedi dhe Ibn Maxhe (رَحِمَهُمُ اللهُ) dhe ky është versioni i tij. Imam Ibn Haxheri (رَحِمَهُ اللهُ) e ka vlerësuar si hasen në Taghlik at-Ta’liq.
— E transmetojnë Imam Ahmedi dhe Ibn Maxheh …
Imam Neveviu (رَحِمَهُ اللهُ) ka thënë në El-Mexhmu‘: “Nëse dikush shet pa treguar mangësinë, shitja është e vlefshme, por ai është gjynahqar.”
Sa i përket fjalëve të tua:“Më pas e kuptova se kishte një defekt të vogël…” kuptohet se ti nuk kishe për qëllim ta fshehje defektin nga blerësi, por kjo ndodhi nga harresa ose nga mosdija para shitjes, dhe kjo të shfajëson nga mëkati.
Përshkrimi yt i defektit si “i vogël” duhet parë nëse sipas zakoneve të tregtisë kërkon ulje të çmimit. Nëse është i tillë që nuk ndikon në çmim, blerësi ka të drejtë ta mbajë sendin me çmimin e plotë ose të anulojë shitjen. Sipas disa juristëve, nëse blerësi vendos ta mbajë sendin dhe merr kompensim, kjo është e lejuar. Por ky opsion bie nëse blerësi ka qenë i vetëdijshëm për defektin dhe prapë e ka pranuar shitjen.
Nëse ti harrove ta informoje blerësin dhe nuk mund ta gjesh më për ta njoftuar rreth defektit dhe për të kërkuar faljen e tij, dhe nëse defekti është i tillë që kërkon zbritje në çmim, atëherë është më e sigurt që të japësh sadaka shumën që përfaqëson diferencën midis çmimit të mallit pa defekt dhe atij me defekt, dhe ta japësh këtë sadaka në emër të blerësit.
Allahu e di më së miri.
Burimi: islamweb.net / solli ne shqip Agon Mehmeti – ekonomiaislame.com/











