Muslimanët në Shtetet e Bashkuara dhanë rreth 1.8 miliardë dollarë zekat në vitin 2021, tregon një raport i lëshuar nga Iniciativa Filantropike Muslimane në Universitetin e Indianës. Muslimani mesatar në SHBA dha 2070 dollarë zekat.
Fjala është për një përqindje të caktuar nga pasuria, e ndarë për nevoja të ndryshme komunitare apo individuale.
Megjithatë, rezultatet e raportit tregojnë se muslimanët amerikanë janë më të prirur ta shohin zekatin si një akt të caktuar filantropie apo bamirësie, sesa si një taksë të vendosur nga autoritetet fetare. Në fakt, ajo nuk është as taksë e autoriteteve fetare por një detyrim karshi Zotit. Ndaj është një nga pesë shtyllat e Islamit. Pra është detyrim e jo zgjedhje. Zgjedhje është sadakaja, gjithsesi gjithnjë e këshillueshme në narrativën fetare.
Shariq Siddiqui, drejtor i Iniciativës Filantropike Muslimane, tha se shumica e këtyre parave janë dhuruar gjatë muajit të Ramazanit, muajit të agjërimit musliman.
“Është thelbësore që organizatat jofitimprurëse dhe bamirësitë të gjejnë mënyra kuptimplota për të bashkëvepruar me donatorët muslimano-amerikanë gjatë muajit të Ramazanit,” tha Siddiqui.
Përfituesit më të mëdhenj të bamirësisë ishin organizatat ndërkombëtare jofitimprurëse, të cilat morën 25.3 për qind të të gjitha fondeve të zekatit, thuhet në raport.
Fjala “Zekat” është një fjalë arabe që do të thotë pastrim, rritje, zhvillim. /tesheshi/