Një kompleks inferioriteti ushqehet nga dëshira për të arritur të njëjtat nivele fuqie, statusi dhe suksesi si ata që perceptohen të jenë në pozita superiore. Për të shkatërruar këtë kompleks, ne duhet t’i sjellim zemrat dhe ndërgjegjësimin tonë në burimin përfundimtar të fuqisë dhe nderit.
“Kushdo që dëshiron nderin, fuqinë dhe lavdinë, atëherë Allahut i takon e gjithë nderi, fuqia dhe lavdia…”?! [KUR’AN – 35:10]
Për besimtarin e sinqertë, dihet se vetëm duke iu bindur Allahut mund të gjendet nderi, fuqia dhe lavdia në këtë botë, por më e rëndësishmja në botën tjetër. Mbajtja fort pas këtij realiteti, e siguron zemrën e besimtarit që të mos ndjehet ndonjëherë inferior ndaj çdo kulture apo besimi tjetër.
Ai largon tundimin për të dëshiruar për atë që të tjerët kanë në kuptimin e kësaj bote, pasi besimi në Allahun është ai që sjell një nivel kënaqësie që e tejkalon shumë dashurinë për çdo gjë tjetër që kjo botë ofron.
Ne jemi bijtë e Ademit.
Ne jemi nga umeti i Profetit Muhamed a.s.
Ne mund ta quajmë veten muslimanë për shkak të të mëdhenjve në historinë tonë; profetët fisnikë, shokët e profetit dhe brezat pasardhës që sakrifikuan jetën e tyre që ne të mund të praktikojmë sot.
Na është dhënë teufik (udhëzim i drejtpërdrejtë) për të besuar në Njëshmërinë e Allahut, udhëzimi dhe Ndihma e të cilit ne e dimë është gjithmonë me ne.
Me këtë identitet të mishëruar thellë në strukturën e shpirtit tonë, ne mund të qëndrojmë të sigurt në çdo mjedis, duke u mbajtur fort pas vlerave tona dhe të jemi të patrembur nga gjykimi i kësaj bote. Ne mund të lundrojmë në çdo hapësirë pune apo mbledhje shoqërore me vendosmëri në identitetin tonë mUsliman.
Zemrat tona do të largohen nga ndjenja e çfarëdo forme kompleksi inferioriteti ose mendësie të viktimës ose të frikës nga humbja, sepse ka paqe dhe kënaqësi që gjendet në premtimin e Allahut:
“Pra, mos u dobësoni, as mos u trishtoni dhe do të jeni fitimtarë nëse jeni besimtarë të vërtetë.” [KUR’AN – 3:139]
Krahas këtij kuptimi, është thelbësore që të krijohet kohë për muhasabe (vetëvlerësim) në mënyrë që të bëheni më të vetëdijshëm, për t’u lidhur me fitren tuaj dhe për të rritur besimin që ka rrënjë në Allahun./productivemuslim/
Shkrim nga: Hafsa Adham
Përktheu: EKONOMIA ISLAME