Pushtimi rus i Ukrainës e ka futur eurozonën në një realitet të ri ekonomik, ku inflacioni i lartë nuk është më një dhimbje koke e përkohshme, por kërcënon seriozisht të zhbëjë rezultatet e rimëkëmbjes pas pandemisë.
Inflacioni në eurozonë në mars arriti në 7.5% në krahasim me një vit më parë, niveli më i lartë historik për eurozonën. Shifra përfaqëson një rritje befasuese në kushtet kur objektivi i Bankës Qendrore Evropiane është që të mos tejkalojë nivelin 2%. Të dhënat e marsit janë leximi i parë nga Eurostat që merr parasysh pasojat e luftës në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në muajin e dytë, pa asnjë zgjidhje në horizont.
Inflacioni vjetor, – shkalla me të cilën çmimet për mallrat dhe shërbimet ndryshojnë me kalimin e kohës – ka qenë në rritje të vazhdueshme që nga fundi i verës, kur një mospërputhje midis ofertës dhe kërkesës bëri që çmimet e gazit të rriteshin.
Tendenca vazhdoi gjatë gjithë dimrit kur temperaturat e ulëta sollën rritjen e konsumit të energjisë elektrike dhe u përkeqësuan ndjeshëm pasi Presidenti Vladimir Putin dha urdhër për pushtimin e Ukrainës.
Lufta e zhyti ekonominë globale, akoma të pafuqishme nga pandemia, në pasiguri dhe trazira. Një gamë e gjerë sanksionesh perëndimore i kanë dhënë fund tregtisë me Rusinë, ofruesin kryesor të energjisë të BE-së.