SHBA, Amazon krijon shërbimin e farmacisë online

Pandemia e Covid-19 nuk e ndal Amazon, përkundrazi përshpejton rritjen e saj ekonomike. Pas shërbimit të pagesave online nëpërmjet pëllëmbës së dorës, shoqëria e themeluar nga njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos, prezanton Amazon Pharmacy.

Shërbimi i ri Amazon Pharmacy vjen pak më shumë se dy vjet pasi kolosi i e-commerce bleu farmacinë online PillPack për 753 milionë dollarë. Blerja i hapi rrugë hyrjes së kompanisë në këtë fushë të re. Dyqani është në dispozicion të të gjithë klientëve. Por klientët “Prime”, që në përgjithësi paguajnë 119 dollarë në vit në Shtetet e Bashkuara, e marrin dërgesën në dy ditë, pa kosto shtesë.

Kjo është një risi e rëndësishme për kompaninë me seli në Seattle, e cila hyn në një treg që vlen rreth 300 milionë dollarë dhe u jep mundësi përdoruesve të blejnë medikamente në më shumë se 50 mijë farmaci në nivel kombëtar dhe të përfitojnë avantazhe të tjera, si ato në recetat Prime, ku mund të kursejnë deri në 80% në ilaçet gjenerike dhe deri në 40% në ilaçet e markës.

Natyrisht, klientët nuk mund të marrin atë që duan, por duhet të japin informacione shëndetësore bazë: shtatzëni, mosha, seksi, sëmundje të mëparshme, sigurimet shëndetësore dhe natyrisht, numrin e recetës.

Zëvendëspresidenti i Amazon Pharmacy, TJ Parker, tha se shpreson që të ndryshojë një sektor që “mund të jetë i pakëndshëm dhe konfuz”. “Punojmë shumë pas skenës për të menaxhuar ndërlikimet, pa probleme, në mënyrë që kushdo që ka nevojë për një recetë të mund të kuptojë opsionet, të caktojë porosinë me çmimin më të ulët të disponueshëm dhe të marrë shpejt ilaçet”. Problemet sigurisht nuk mungojnë e nuk do të mungojnë.

Jo vetëm sepse dikush mund të marrë ilaçe të parekomanduara me recetë nga mjeku (në SHBA, varësia nga ilaçet është një problem i madh), por edhe për frikën (sipas Amazon e pabazë) që të dhënat shëndetësore të përdoruesve të mund të përdoren për qëllime microtargeting apo reklame.

Shërbimi do të jetë aktiv për të gjithë klientët më shumë se 18 vjeç, të cilët do të kenë akses të shërbimi i farmacisë, duke nisur nga kjo javë në 45 shtete amerikane, me përjashtim – vetëm për momentin – në Hawaii, Illinois, Kentucky, Louisiana e Minnesota. /monitor.al/

Artikulli paraprakThemeluesi i Zoom humb 20 për qind të pasurisë për shkak të vaksinës kundër COVID-19
Artikulli tjetërDeficit i ulët tregtar edhe në tetor