Sfida më e madhe – Justinian Topulli

Njerëzimi ka jetuar për mijëra vjet, apo që nga lashtësia që nuk mbahet mend, sipas modelit të atyre shoqërive që sot quhen si shoqëri tradicionale. Epoka moderne, e cila ka pak shekuj që ka nisur, ka prodhuar një mori ideologjish dhe pikëpamjesh, mbi atë se si duhet të jetojë njerëzimi, botëvështrime këto, të cilat në thelb të tyre rezultojnë të jenë të panatyrshme dhe madje dehumanizuese për njeriun, edhe pse trumbetojnë të zgjidhin njëherë e përgjithmonë mungesën e lumturisë së përhershme të njeriut në këtë botë.
Dështimi i këtyre ideologjive jonatyrore është gjithmonë çështje kohe, sa më radikale të jenë ato, aq edhe më jetëshkurtër janë. Por dështimi i tyre nuk do të thotë se ato nuk bëjnë dëme dhe nuk lënë pasoja, madje edhe fara të së ligës, për të rilindur në forma dhe ngjyrime të tjera. Mjafton historia e komunizmit, si lindi, u ngrit dhe dështoi dhe çfarë erdhi pas tij, për të shërbyer si një shembull i madh, se si zhvillohen gjërat në jetë dhe se si lëviz rrota e historisë.
E mira nuk vjen vetëm duke pritur dështimin e së keqes dhe duke e luftuar atë, por edhe duke promovuar të mirën, që duhet ta zëvendësojë atë. Kështu që për një besimtar është e pakuptueshme dhe e patolerueshme që krahas betejës publike dhe sociale ndaj ideologjive të mbrapshta të modernitetit, të mos luftojë për promovimin dhe ngritjen e së mirës që na mëson besimi ynë. Mendoj se kjo është sfida më e madhe që ne kemi.

Artikulli paraprak5 fakte interesante për ekonominë zvicerane
Artikulli tjetërRishikimi i Llogarive Kombëtare, 2008-2019