1. FIDA E EMOCIONEVE

“Mos u hidhëro”[1]

Shembulli yt është si deti i qetë pranë të cilit njeriu ndien qetësi, rehati, emocione të veçanta, stabilitet dhe siguri në vetvete. Në momentin që ai hidhërohet, ngrihen dallgë. Të gjitha të mirat largohen sepse ai ka ndërruar gjendjen e tij, as ne nuk ndihemi më të qetë, rehat e të sigurt pranë tij.

Ky është momenti i emocioneve, frustrimit, tronditjes. Kur kjo gjendje dominon te njeriu, ai ndryshon natyrshmërinë e tij, ngjyrën e fytyrës, sjelljen, ndryshon pamjen e bukur në të cilën e ka krijuar Allahu.

Allahu thotë:

“Ai juve u dha formën, e formën tuaj e bëri të bukur.”(Tegabun: 3)

Por, njeriu shndërrohet dhe merr një pamje të shëmtuar, të cilën bota njerëzore nuk e do. Grindjet, përplasjet, rrahjet, shkurorëzimet dhe belatë ndodhin kur goja nxjerr fjalë jo të mira. Atëherë të sfidojnë momentet plot emocione, sepse janë ato që të udhëheqin ty e jo ti ato.

Njeriu që gjendet nën ndikimin e emocioneve harron shoqërinë, ditët e bukura të jetës me personat e dashur pranë tij dhe tani për shkak të këtij ndikimi i largon ata. Për një moment shkatërron gjithçka që ka ndërtuar me vite, është ai moment kur thyhen gjëra të cilat është e vështirë të rregullohen.

Kujto kur Omerin e lëndoi një njeri dhe për një moment kujtoi fjalën e Allahut, edhe pse kishte mundësi të hakmerrej sepse ishte kalif i muslimanëve:

“…që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve…”(Al’imran: 134)

Kur’ani çdo herë preferon faljen kur njerëzit gabojnë, asnjëherë hakmarrjen. Nëse të keqen vazhdojmë ta kthejmë me të keqe, atëherë kur do të përfundojë e keqja?

Emocionet dhe frustrimi janë sfida më e madhe e jetës dhe ajo që përsëritet më së shumti.
Sipas hulumtimeve të sociologëve, gjysma e problemeve në shoqëri vijnë si pasojë e emocioneve të pakontrolluara.

  • Çfarë janë emocionet?

Emocionet ngjallen si pasojë e hidhërimit në jetën tonë. Kur përzihen këto dy gjëra, atëherë mund të rezultojnë sjellje negative ose pozitive, sipas vlerave që posedojmë.

Në shumë raste Pejgamberi Muhamed alejhi selam na këshillon me fjalët“mos u hidhëro”[2].Fjala e urtë thotë se hidhërimi është nëna e të gjitha të këqijave.

Është e natyrshme që njeriu të hidhërohet, por më e rëndësishmja është kontrollimi i hidhërimit. Hidhërimi duhet të jetë nën menaxhimin tonë.

Allahu në Kur’an na sjell dy lloje hidhërimesh që kanë dallim të madh mes tyre:

  1. Hidhërimi i Faraonit, i cili ishte një hidhërim i pamenduar. I shtyrë nga hidhërimi, ai dha urdhra të cilët më vonë do t’i paguante vetë.

“E faraoni tha: “I besuat atij (Musait) para se t’ju lejoja unë? …Kam për t’ua prerë duart dhe këmbët tërthorazi, pastaj të gjithë juve do t’ju gozhdoj…” (Al’Araf: 122)

  1. Allahu tregon në Kur’an se edhe Pejgamberët e Allahut hidhëroheshin, por hidhërimi i tyre ndodhte kur njerëzit shkelnin kufijtë e Allahut.

Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha:“O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë?” (Taha: 86)

Duket qartë dallimi i madh në përzgjedhjen e fjalëve dhe shprehjen e tyre, edhe pse të dy ishin të hidhëruar.

  • Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?
  • Emocionet, frustrimi, zemërimi zbulojnë brendësinë e njeriut.
  • Ato shfaqin karakterin e njeriut, a është parimor, a ka vlera apo ka brendësi të zbrazët.
  • Këto ndjenja janë mundësi për t’i njohur njerëzit më mirë.
  • Janë mundësi për të ndryshuar vetveten.
  • Ne mësojmë nga gabimet tona.

Fjala e urtë thotë “ena derdh atë që ka në brendësi”.

  • Dëmet dhe pasojat që sjellin emocionet:
  • Humbja e gjërave të mira.
  • Largimi i njerëzve të dashur nga jeta jonë.
  • Humbja e respektit te njerëzit.
  • Shkatërrimi i jetës.
  • Thyerja e zemrave dhe lëndimi i njerëzve pa nevojë.
  • Joproduktiviteti, pasiviteti në jetë.
  • Ngutja, fjalët e fundit i themi të parat.

Një ditë Zubejr bin Avvami shkoi tek i Dërguari i Allahut alejhi selam dhe iu ankua se kishte një mosmarrëveshje me një person,me të cilin i kishte kopshtet ngjitur. Uji kalonte pranë bahçes së Zubejrit e pastaj te bahçja e komshiut. Që të dy këmbëngulnin që kishin të drejtë njëri para tjetrit për ta ujitur bahçen. Atëherë i Dërguari i Allahut(alejhi selam) e dëgjoi Zubejrin deri në fund dhe i tha: “Ujite ti i pari e më pas jepja mundësinë komshiut që ta ujitë bahçen e tij.” Ky person që ishte prezent i tha: “Ti i jep përparësi Zubejrit sepse e ke djalë halle.”

Shikoni çfarë gabimi bëri ky njeri. Nëse Pejgamberi i Zotit nuk gjykon me drejtësi, atëherë kush pos tij do të gjykojë me drejtësi? Allahu e kishte sjellë atë për të vendosur drejtësinë mes njerëzve. Në këtë moment zbritën ajetet kur’anore:

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre.” (Nisa: 65)

Shiko se ku e çoi personin në fjalë moskontrollimi i emocioneve të tij. I erdhi qortimi hyjnor se nuk do të ketë besim për të e për askënd tjetër derisa nuk e marrin Muhamedin alejhi selam për gjykatës në mospajtimet e tyre.

  • Si ta tejkalojmë sfidën e emocioneve?

Ne nuk pretendojmë ta largojmë këtë ndjenjë sepse ajo është pjesë e karakterit, e natyrës njerëzore, por synimi ynë është ta menaxhojmë atë, si të dalim nga situatat e vështira kur sfidohemi nga emocionet që sjell hidhërimi ynë.

Në momentet kur sfidohemi në jetë nga emocionet tona le të hedhim këta hapa:

  1. Dënim pa lëndim
  2. Qortim pa përbuzje
  3. Falje pa kompensim.

Lutja përmbyllëse

Zoti im, mos lejo që në jetën tonë ta na verbojë hidhërimi, të na udhëheqin emocionet e më pas t’i shkatërrojmë gjërat e bukura, t’i thyejmë zemrat e njerëzve që na duan, t’i lëndojmë ata që kemi afër dhe t’i largojmë nga jeta njerëzit më të afërt!

O Zot, na ruaj, na udhëzo, na përmirëso gjendjen tonë

[1]Shënon Buhariu.

[2] Shënon Buhariu.

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”

Artikulli paraprakA konsiderohet kamatë nëse produktit i rritet çmimi kur e blen me këste?
Artikulli tjetërProdhimi i reformatorëve (muslihin)