SFIDA E DHEMBJES

“Duaje të dashurin, por përmbahu…”

Sa e sa njerëz në jetë, kur i shohim apo i përmendim, na hapin plagët e shkaktuara prej tyre! Shpeshherë dëgjojmë nga njerëzit fjalë të tilla si: “a ka mundësi të mos ia përmendësh emrin, a ka mundësi të mos flasësh për të?” Këto fjalë dhe të ngjashme me to na tregojnë se plagët ende nuk janë shëruar. Je ballafaquar në jetë dhe do të ballafaqohesh edhe me dhembje të tjera. Zgjidh si dëshiron të jetosh: me plagë apo pa plagë?!

Sfida e dhembjes që të shkaktojnë njerëzit e afërt është një ndër sfidat e dhimbshme dhe të vështira të jetës. Ai është momenti kur të godet diçka e pakëndshme nga dikush që nuk e ke pritur.

Allahu i Madhërishëm në Kur’an flet si u lënduan njerëzit më të dashur, Pejgamberët. Allahu i dërgoi Pejgamberët si shëmbëlltyra më e mirë për njerëzimin. Një ditë gjersa Ibrahimi a.s. po e ftonte popullin e tij në besim, ata u tallën me të. Dhembja e tij nisi pikërisht kur një njeri i dashur në jetën e tij, babai i tij Azeri, u mundua ta nënçmonte Ibrahimin.

Allahu na tregon debatin që u zhvillua mes tyre:

-“O babai im, unë druaj se mos do të të vijë dënimi nga Mëshiruesi, e do të bëhesh shok i djallit.”
-“(Baba i Ibrahimit) tha: “O Ibrahim, ti vallë po shmangesh nga zotat e mi? Nëse nuk frenohesh nga kjo, unë do të të mbys ty me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë!”
-“(Ibrahimi) tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë ty. Me të vërtetë, Ai (Perëndia), është i mirë ndaj meje (pa masë).
-Dhe ju lë ju dhe të gjithë ata që adhurojnë (të tjerë zota), pos Perëndisë; e, unë do të adhuroj Zotin tim. Shpresoj se nuk do të jetë i papranueshëm të adhuruarit e Zotit tim.”(Merjem: 45-48)

Allahu i drejtohet Pejgamberit Muhamed (alejhi selam):

“Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin (ty), të cilët përveç Allahut, marrin edhe zot tjetër, dhe do ta dinë ata mirë (fundin)! Ne e dimë mirë që ty të ngushtohet zemra, për atë që thonë ata,andaj, madhëroje dhe falënderoje Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). Dhe adhuroje Zotin tënd përderisa të arrijë gjendja e sigurt (vdekja)!” (Hixhër: 95-99)

 

  • Çfarë është sfida e dhembjes?

Plaga hapet në atë moment kur ti mendon diçka tjetër dhe për një  moment e kupton se ajo ka qenë një mashtrim për ty, kur ballafaqohesh dhe merr gjëra të cilat nuk i ke menduar nga njerëzit më të dashur dhe më të afërt të jetës tënde.

 

  • Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?
  • Sfida e plagës nxjerr në pah natyrën njerëzore, se mangësia është pjesë e jona.
  • Ne nuk duhet të kërkojmë nga njerëzit që të jenë engjëj. Mangësia njerëzore shpie drejt gabimeve.
  • Shenjtëria e njerëzve dhe mbështetja e plotë tek ata na bën që në momentet e dhembjes që na shkaktojnë, ne të piqemi dhe të vetëdijesohemi. Mos u bëj i thatë që të të thyejnë të tjerët e as i butë që të të shtrydhin.

 

  • Dëmet dhe pasojat e dhembjeve në jetën tonë:
  • Paragjykimi ndaj të tjerëve.
  • Urrejtja e njerëzve të afërt.
  • Distancimi nga ata që na shkaktuan dhembje.
  • Gjetja e rrugëve për hakmarrje.

 

  • Dobitë e dhembjes në jetën tonë:
  • Njohja e njerëzve më mirë se ç’kemi menduar.
  • Plaga është momenti i fillimit dhe jo i mposhtjes dhe humbjes.
  • Rifillimi i kontakteve me njerëzit.
  • Mundësia për pjekuri dhe maturi në jetë.

 

  • Si të veprojmë në momentet kur të tjerët na lëndojnë?

Kur njerëzit na shkaktojnë plagë në zemrat tona, ajo është e njëjtë si një plagë që shkaktohet në trupin tonë. Nëse nuk mjekohemi me kohë, ajo do të mbetet e hapur përgjithmonë dhe do të na shkaktojë dhembje çdo moment:

  • Moshapja e dosjeve për njerëzit që na shkaktuan dhembje.
  • Vazhdimi i rrugëtimit në jetë sepse mund të ndryshojmë kahun e assesi të ndalemi.
  • Përkujtimi i njerëzve të mëdhenj, se si i falën të tjerët.
  • Shembulli i Pejgamberit alejhi selam se si fali popullin dhe njerëzit që e lënduan.
  • Ebu Bekri vazhdoi ta ndihmonte atë njeri që e kishte lënduar dhe akuzuar në nderin e familjes kur dëgjoi se Allahu kishte thënë në Kur’an:

“Po nëse ju i arsyetoni ua mbuloni dhe i falni, edhe Allahu fal dhe është mëshirëplotë.”(En-Nisa:149)

  • Ibn Tejmije vizitoi një familje dhe mori përsipër kujdesin ndaj tyre edhe pse babai i kësaj familjeje ishte shkaktar që ai qëndroi në burg.

 

Lutja përmbyllëse

Zoti im! Mos lejo që dhembjet tona të na shkaktojnë plagë, e as me plagët tona t’i rrënojmë gjërat e bukura në jetën tonë!

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”

Artikulli paraprakPasojat e zhvillimit të pakontrolluar teknologjik – Justinian Topulli
Artikulli tjetërFranca ndalon shitjen e iPhone 12, shkak rrezatimi i lartë