Së shpejti do të paguhet edhe tatim për tokë

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi se me Ligjin e ri ata të cilët nuk e punojnë tokën bujqësore do të paguajnë tatim më shumë se ata që e punojnë.

Me ndryshimet në Ligjin për Tatimin në Pronë parashihet që përveç tatimit në objekte qytetarët e vendit do të paguajnë edhe tatim për tokën.

Këto ndryshime u prezantuan në takimin e organizuar nga Ministria e Financave me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Me këtë rast u tha se tatimi në pronë do të pësojë ndryshime në normë dhe në afatin kohor të pagesës.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli, theksoi se sfida më e madhe me Ligjin e ri do të jetë pagesa e tatimit në tokë, i cili deri më tani nuk është aplikuar.

“Ne jemi të interesuar që ky tatim në pronë të rritet në vlerë në kuptimin e pushtetit lokal duke pasur parasysh që është një bazë e mirë e të hyrave vetanake. Sigurisht do të përpiqemi që t’i trajtojmë me kujdes ndryshimet të cilat janë të parapara me këtë ligj, posaçërisht te pjesa e cila deri sot nuk është aplikuar – e tatimit të tokës, e cila do të jetë një sfidë e përbashkët për të gjithë”, tha Ismajli.

Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi se me Ligjin e ri ata të cilët nuk e punojnë tokën bujqësore do të paguajnë tatim më shumë se ata që e punojnë.

“Tatimi i cili do t’u vendoset tokave nuk do të jetë i njëjtë. Aty ku ka mundësi të punohet toka e nuk punohet tatimi do të jetë më i lartë, në mënyrë që të stimulohet bujqësia. Ndryshimi tjetër që do të pësojë ligji është te lëshimi i faturave për tatim në pronë dhe afati kohë kur qytetarët duhet të paguajnë tatimin në pronë. Në mënyrë që komunat me i pasë mjetet në dispozicion kemi vendosur që për gjashtëmujorin e parë pagesa të bëhet deri më 30 prill, ndërkaq për gjashtëmujorin e dytë pagesa të bëhet deri më 30 shtator”, tha Hoti.

Ministri Hoti shpjegoi arsyen e ndryshimit të afatit kohor të pagesës së tatimit në pronë, i cili deri më tani për gjashtëmujorin e dytë ishte data 31 dhjetor. Sipas tij, për arsye se buxheti planifikohet më herët këto mjete nuk po kanë mundësi teknike të shfrytëzohen për planifikim buxhetor.

Ministria e Financave përpos Ligjit të Tatimit në Pronë është duke plotësuar dhe ndryshuar edhe Projektligjin e financave të pushteti lokal, i cili pritet të hyjë në fuqi para miratimit të buxhetit për vitin 2018, me ç’rast kjo ministri në bashkëpunim me komunat ka kohë të mjaftueshme në draftimin e tij.

Artikulli paraprakDrejtori i ATK-së: Zbulova 36 zyrtarë të dyshimtë të Administratës Tatimore
Artikulli tjetërHASHIM REXHEPI FLET PËR INVESTIMIN E DYSHIMTË 75-MILIONËSH TË TRUSTIT