SADAKAJA I MBULON TË METAT

Sadakaja dhe bamirësia janë mburojë për nderin e njeriut dhe janë sebep për shlyerjen e gabimeve, mbulimin e të metave dhe faljen e mëkateve. Në anën tjetër, koprracia dhe poshtërsia, janë shkak për cenimin e nderit, shpalosjen dhe përhapjen e të metave dhe gabimeve.

Poeti tha:

Të metën e njeriut,
koprracia e shpalos para të tjerëve,
ndërsa bujaria ia mbulon atë.

Ai që dorën e tij e shtrin,
mbulohet me petkun e bujarisë,
dhe çdo e metë që tek ai eksjston,
bujaria atë e mbulon.

Sadakaja të afron me njerëzit dhe ua përfiton atyre dashurinë, lutjet dhe falënderimet. Sadakadhënësi lë gjurmë të lavdëruara, e duan të afërmit dhe të largëtit, e do i keqi dhe i miri, sepse me veprën dhe bamirësinë e tij i përfiton falënderimin, dashurinë, lutjen dhe lavdërimin.

Madje sadakadhënësin dhe bamirësin e duan, falënderojnë dhe luten për të edhe ata që nuk kanë përfituar nga sadaka e tij.

Ebu El-Fet’h El-Bustij tha:

“Me njerëzit sillu mirë do t’ua robërosh zemrat, pasi mirësia e robëron njeriun.”

Njerëzit anojnë kah ai që është bujar me pasuri dhe pasuria është sprovë për njeriun.

Bëj mirë kur ke mundësi dhe hapësirë, sepse mundësia çdoherë nuk është e vazhdueshme me njeriun.

Në anën tjetër koprraci është në situatë krejtësisht tjetër, nuk ka mik dhe me koprracinë e tij përfiton zemërim, qortim dhe urrejtje. Andaj i mençuri, nëse Allahu ia mundëson të mirat e përkohshme të kësaj bote dhe e kupton se ajo nuk është e përkohshme dhe se në ahiret nuk i bën dobi asgjë tjetër, përveçse veprave të mira, e shpeshton sadakanë, veprat e mira, bamirësinë dhe e kërkon shpërblimin e ahiretit dhe fjalët e mira për të në dynja.

Bujaria sjell dashuri, falënderim dhe lutje për mirësi, kurse koprracia sjell qortim, urrejtje dhe lutje për sherr. Nuk ka mirësi në atë pasuri kur nuk ka bamirësi, njësoj sikurse nuk ka mirësi në atë të folur që nuk shoqërohet nga veprat.

Poeti tha:

Rujaria ështëfisnikëri,
kurse koprracia urrejtje…
nuk janë të barabartë tek Allahu
bujari dhe koprraci.

Andaj ti që i do gradat e larta në botën tjetër kapu në këte botë për sadakanë e bujarinë dhe shto mirësinë dhe veprat e mira dhe largoju koprracisë.

Artikulli paraprak“Dhurata e Bajramit” iniciativë vullnetare që synon të gëzojë fëmijët në kohë pandemie
Artikulli tjetërSADAKAJA ËSHTË MJET PËR TA ARRITUR DASHURINË, MËSHIRËN DHE KËNAQËSINË E ALLAHUT