SADAKAJA ËSHTË SHKAK QË SADAKADHËNËSIN TA RUAJË NGA FATKEQËSITË DHE VËSHTIRËSITË

Sadakadhënësi, bamirësi nuk dëmtohet e as nuk dorëzohet, por nëse ndodh diçka e tillë, ai ka ku të mbështetet,ngase sadakaja e tij i del përpara belasë. Sadakaja i largon fatkeqësitë, vuajtjet dhe vështirësitë e frikshme, i lehtëson belatë dhe sëmundjet dhe për këtë kanë ardhur argumente dhe është vërtetuar me prova dhe përvojë.

Prej haditheve që flasin në këtë tematikë e veçojmë fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha:

“Të bërit mirë mbron nga përfundimi i keq, nga fatkeqësitë dhe nga gjërat shkatërruese. ”

Në një hadith që e përcjellë Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë:

“Bërja mirë mbron nga përfundimi i keq. ”

Në një hadith tjetër që e përcjell Rafia ibën Hadixh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se i Dërguari i Allahut’ lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë:

“Sadakaja i mbyll shtatëdhjetë dyer të sherrit. ”

Argument tjetër po ashtu janë edhe fjalët e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që i tha kur njerëzit u trembën me rastin e eklipsit të diellit:

“Nëse shihni se po errësohet dielli, luteni Allahun, madhërojeni Atë, faluni dhe jepni lëmoshë. ”

Imami Ibën Dakik El-Id, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij hadithi tha:

“Ky hadith është argument se pëlqehet dhënia e sadakasë gjatë vështirësive të frikshme për t’u mbrojtur dhe për t’i larguar fatkeqësitë e mundshme.”

Sadakaja e ruan edhe trupin e njeriut dhe i largon prej tij belatë dhe sëmundjet. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë:

“Kuroni të sëmurët tuaj me sadaka. ”

Ibën El-Haxh, Allahu e mëshiroftë, thoshte:

“Qëllimi prej sadakasë është që i sëmuri ta blejë veten prej Allahut sipas vlerës që e ka vetja e tij tek Allahu dhe e patjetërsueshme është që sadakaja të ndikojë dhe të lërë gjurmë, sepse ai që njoftoi për këtë, pra, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, është i sinqertë dhe njoftimet i përcjell prej Allahut.”

Një burrë me plagë në gjurin e tij për shtatë vjet me radhë e pyeti Ibën Mubarekin, Allahu e mëshiroftë, se çfarë i sugjeron të bëjë pasi mjekët ishin të pafuqishëm t’ia kurojnë plagën, e ai e urdhëroi të hapë pus që njerëzit të pinë ujë prej tij dhe tha:

“Shpresoj që uji prej tij të burojë dhe plagën prej teje ta largojë.”

Dijetari i hadithit, Ebu Abdullah El-Hakimi, Allahu e mëshiroftë, u sprovua me plagë nëpër fytyrë edhe atë përafërsisht një vit. Kërkoi nga njerëzit e mirë të bëjnë lutje për të dhe e respektuan kërkesën e tij dhe i shpeshtuan lutjet për të. Për myslimanët e ndërtoi te dera e shtëpisë së tij një ujëmbledhës si lëmoshë, ku njerëzit pinin ujë prej tij dhe nuk kaloi një javë, vetëm se Allahu ia shëroi fytyrën, iu larguan ato plagë dhe fytyra iu bë më e bukur sesa që e kishte edhe më herët.

Imam E1 Munavij, Allahu e mëshiroftë, e vërteton një gjë të tillë dhe thotë:

“Një gjë e tillë është provuar, pra, mjekimi me lëmoshë, ku është vërtetuar se ilaçet shpirtërore si rezultat e japin ate qe nuk e japin ilacet materiale. Nje gje e tille nuk e mohon vetem se ai qe i eshte trashur perdja.”

Gjërat nuk mbarojnë me kaq, disa nga të parët tanë e shihnin se lëmosha i largon nga njeriu belatë dhe vështirësitë edhe po të ishte zullumqar.

Ibrahim Nahaij, Allahu e mëshiroftë, tha:

“Ata e shihnin se lëmosha bëhet sebep që ta mbrojë njeriun edhe atë që është zullumqar.”

Në të kundërtën, mosdhënia e sadakasë njeriut i sjell fatkeqësi dhe sprova. Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se Xhibrili ia përcolli Jakubit, alejhi selam, një mesazh prej Allahut:

“A e di se pse ta mora shikimin e t’u kërrus shpina dhe vëllezërit e Jusufit vepruan ashtu? Ju e therët një dele dhe ju erdhi një i mjerë jetim agjërueshëm dhe ju nuk e ushqyet nga ajo dele me asgjë!”

Artikulli paraprakSADAKAJA KA DOMETHËNIE TË MADHE DHE AI QË E JEP ATË KA POZITË TË LARTË
Artikulli tjetërThe Economist: Autokratët e shohin katastrofën si mundësi