Një shqiptar mesatar, sot, merr një pagë neto prej rreth 4,867 eurosh në vit. Po gjatë të gjithë jetës së tij?
Mosha e pensionit në vendin tonë tashmë është e ndryshme për burrat dhe për gratë, por pritet të barazohet në 67 vjeç në vitin 2056. Për këtë arsye po marrim në përllogaritje një moshë pensioni në 67 vjeç.
Në rast se shqiptari mesatar do të fillonte të punonte që në moshën 18-vjeçare, atëherë do të punonte për plot 45 vite.
Sipas studimeve më të fundit të Bankës Botërore, që janë në linjë edhe me shifrat e sinjalizuara nga Instituti i Statistikave në vendin tonë, një shqiptar mesatar mund të kursejë rreth 27% të pagës së tij.
Pra, në rast se do t`i përmbaheshin këtij rregulli të 27%-shit, atëherë, shqiptari mesatar mund të kursejë rreth 1,314 euro në vit. Përgjatë të gjithë jetës së tij aktive në punë me pagë, kjo shifër ngjitet në rreth 59,130 euro.
Por, pagat ndryshojnë dhe kryesisht tendenca është në rritje. “Scan Intelligence Unit” i ka analizuar shifrat, dhe në bazë të një progresioni rezulton se në fund të 45 viteve punë, shqiptari mesatar do të ketë kursyer vetëm 73 mijë euro.
Ky progresion është i bazuar në ecurinë e pagave që prej vitit 2014, dhe duke i projektuar pagat e rritura deri në vitin 2059, kur, paga mesatare e një shqiptari në muaj, neto, bazuar në termat e rritjes së 7 viteve të fundit, pritet të jetë rreth 669 euro.
Pra, një shqiptar mesatar që ka filluar të punojë në moshën 18 vjeçare në vitin 2014, kur të dalë në pension dhe të jetë 67 vjeç, do të mund të ketë kursyer vetëm 73 mijë euro.
Por, pavarësisht se të dhënat i referohen një periudhe disi më të “begatë” për familjet, tregojnë se shqiptari mesatar nuk mund të kursejë dot më shumë se 73 mijë euro gjatë jetës së tij.
Të dhënat i referohen vetëm një përllogaritje të përafërt, maksimale. Pra, është marrë parasysh një vjetërsi pune prej 45 vitesh, që në moshën 18 vjeçare, dhe jo vjetërsia e punës për të arritur pensionin. /Scan IU/